Angelina Jolie rrëfen ankthin dhe lodhjen nga lufta ligjore me Pitt

Angelina Jolie ka rrëfyer lodhjen emocionale që po përjeton mes betejës së gjatë ligjore me ish-bashkëshortin Brad Pitt për pronësinë e kantinës së verës “Château Miraval”.

Në email-e të zbuluara së fundmi nga gjykata, aktorja 50-vjeçare shkruan se ndien “stres të madh” dhe se “po sëmuret nga shqetësimi”.

“Duhet të heq çdo stres,” shkruan Jolie në një email të majit 2021 dërguar menaxherit të saj financiar. “Ndjej se po sëmurem nga ankthi. Dua që ta diskutojmë se si të marr më shumë mbështetje dhe të mos vazhdoj marrëdhënie që më shkaktojnë stres.”

Në të njëjtin mesazh, ajo përmend edhe vëllain e saj, James Haven, duke shprehur pakënaqësi për marrëdhëniet e njëanshme: “Situata si ajo me Jamie, ku unë jap e jap dhe nuk marr as një ‘faleminderit’, janë të gabuara.”

Sipas dokumenteve të siguruara nga USA Today, emailet u përfshinë në një dosje prej 286 faqesh të paraqitur nga avokatët e Pitt në Los Angeles, të cilët kërkojnë qasje në komunikimet e Jolie-s gjatë shitjes së aksioneve të saj në “Miraval” në vitin 2021. Aktorja dhe ekipi i saj ligjor kanë refuzuar të dorëzojnë email-et, duke u mbështetur në privilegjin avokat-klient.

Në një tjetër korrespondencë të tetorit 2023, ekipi i Jolie-s akuzon Pitt se po e padit për 35 milionë dollarë dëmshpërblim dhe po kërkon “dokumente për të justifikuar dëmet që ai pretendon se ka pësuar.”

Pitt, 61 vjeç, nisi padinë në vitin 2022, duke pretenduar se Jolie kishte shitur pjesën e saj në kantinën e verës pa miratimin e tij — një marrëveshje që, sipas tij, kërkonte pëlqimin e të dy palëve. Jolie e mohoi ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë dhe e kundërpaditi, duke e akuzuar aktorin për një “luftë hakmarrëse” ndaj saj.

Aktorja e “Maleficent” ka deklaruar më parë se Pitt refuzoi ta blinte pjesën e saj në pronë sepse ajo nuk pranoi të nënshkruante një marrëveshje konfidencialiteti (NDA) që do ta ndalonte të fliste për një incident të vitit 2016 në avion, ku ajo pretendon se ai ishte abuziv ndaj saj dhe fëmijëve. Pitt nuk është akuzuar zyrtarisht për incidentin.

Në një deklaratë për mediat, avokati i Jolie-s, Paul Murphy, tha: “Kjo është edhe një provë tjetër se kjo padi është pjesë e përpjekjes shumëvjeçare të z. Pitt për ta kontrolluar dhe ngacmuar Angelina-n.”

Ish-çifti, që u martua në Château Miraval në vitin 2014, do të përballet sërish në gjykatë më 17 dhjetor 2025. Ata finalizuan divorcin e tyre në dhjetor 2024 pas një procesi që zgjati plot tetë vite.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top