“Na duhej pak fat sot. Ishte shumë e rëndësishme në këto momente për ne për moralin e ekipit, nuk ishte e lehtë ta filloje pas një humbje, e merituan çunat se bënë një ndeshje të mirë, edhe Bylisi po ashtu, por ne ndoshta kemi bërë diçka më shumë meqënëse fituam”. Francesco Moriero është në krahët e entuziazmit pas fitores së dytë që kur është ulur në pankinën e Flamurtarit. Italiani tani po përpiqet të mbajë bashkuar grupin, por një sy e ka nga janari: “Unë tani lojtarët nuk i ndërroj me asnjeri, për mua janë të gjithë të rëndesishëm. Skuadra po rritet në profilin e karakterit, është e qartë që duhet të përmirësohemi në aspektin fizik, se çfarë do të ndodh në janar nuk e di, do ta shohim kur të vijë janari”.
Sidoqoftë, një lojtar është jashtë planeve të tij dhe cuditërisht është ai më i paguari në klub. “Unë bëj zgjedhjet e mia, nuk kam asgjë me asnjë lojtar, Rodriges nuk ka karakterisikat që mua më duhen, preferoj të tjera, është lojtar i Flamurtarit dhe po stërvitet, jam i lumtur për çunat e mi dhe këtë publik, të qëndrojmë të salduar me këmbë në tokë, këto dy javë duhet të punojmë edhe më shumë”, tha Moriero.
JOSA: “NUK MUND TË AKUZOJ DJEMTË”
“Nuk mund të akuzojë djemtë se nuk dhanë maksimumin. Në momente më të veçanta duhet të ishim më të përqendruar. Te rasti i golit, e parandjeva. Mbrojtësit tanë nuk e larguan topin”. Mirel Josa nuk e fsheh dëshpërimin për mënyrën se si Bylis e humbi ndeshjen në Vlorë me Flamurtarin. “Nuk më pëlqen reagimi pas golit. I shkuam Flamurtarit në ujërat e veta. Mund të them se duhet të kishim reaguar më tepër pas pësimit të golit. Të kishim më tepër këmbënguljen”.
Josa e thellon më shumë kritikën e tij: “Problemi është se pas pësimit të golit, patëm mungesë këmbëngulje. Mund të themi që ne e zotëruam topin, por duhet të ishim më të vendosur kur i kishim rastet. Në momentin kur fitonim topin, duhet të ishim më efikas në pasimet drejt sulmuesëve. Jo të shkonim me goditje drejt portës pa qartësi”.