Më në fund, jo më të fundit. Flamurtari ka fituar përballë Bylis me rezultatin 1-0, në ndeshjen në transfertë, por që vlonjatët e luajtën në shtëpinë e tyre për akordin e fazës së parë me ballshiotët. Pikërisht në javën e 11 të kampionatit, kuqezinjtë lëvizin nga vendi i fundit ku ishin instaluar prej fillimit të sezonit. Maksuti vendosi ndeshjen me golin në minutën e 63’, për rrjetën e tij të tretë në këtë edicion.
Josa mund ta kishte ndëshkuar kundërshtarin në pjesën e parë, por sulmuesit e Bylis nuk u treguan konkretë. Rasti më i mirë ishte ai i minutës së 25’, kur Përndreca u fut në zonë dhe goditi topin, por nuk shënjestroi si duhet kuadratin e Aleksovskit. Flamurtari u përgjigj 5 minuta më pas me dy mundësi: fillimisht Vachaux ndali goditjen e Oshafit me kokë. Më pas Murataj tentoi nga brenda zone, por diagonalja e tij përfundoi jashtë.
Në pjesën e dytë, Flamurtari u rrit në lojë dhe Maksuti zhbllokoi ndeshjen në minutën e 63’. Sulmuesi 21-vjeçar e kthen Bylis në viktimën e preferuar, duke qenë se kishte shënuar dygolësh ndaj mallakastriotëve edhe në fazën e parë. Kështu, kuqezinjtë “zhysin” Tiranën në vendin e fundit dhe ngjiten në vendin e nëntë, në kuotën e 8 pikëve. Në krahun tjetër, me 12 pikë të grumbulluara, Bylis mban vendin e gjashtë në renditje.