Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar sot se PD do të bëjë çdo gjë për anulimin e ligjit për barazinë gjinore. Gjatë një deklarate për mediat, Berisha u shpreh se PD nuk pajtohet me këtë ligj dhe se do rikonsiderojë referendumin dhe çdo gjë të mundshme dhe të nevojshme për anulimin e këtij ligji.
Kryedemokrati tha se ky ligj përmbys rendin juridik të shtetit shqiptar, pasi rrëzon të paktën 4 nene të Kushtetutës.
“Në këto rrethana, PD nuk pajtohet me këtë ligj. Ajo do ndërmarrë të gjitha hapat kushtetuese, do rikonsiderojë referendumin dhe çdo gjë të mundshme dhe të nevojshme për anulimin e këtij ligji, i cili në fakt përmbys rendin juridik të shtetit shqiptar pasi rrëzon të paktën 4 nene të Kushtetutës. Pasi rrëzon Kodin e Familjes. Rrëzon Kodin Civil. Kodet, pra, të cilat përbëjnë bazën juridike të shtetit. Kjo përpjekje do bëhet në bashkëpunim të ngushtë me çdo shqiptar që e ka familjen sa hyjnore, aq edhe tokësore. Me çdo besimtar që i konsideron librat e shenjtë të besimit të tij fetar si kodin moral të familjes së tij.
Me çdo prind që në përputhje me Kushtetutën e vendit, do që fëmija e tij të marrë edukimin fetar të familjes së tij. Në përputhje me gjininë, me të cilën ka lindur.
Pra, të gjitha këto kërkojnë një përgjigje të fuqishme nga qytetarët dhe ne nisim këtë betejë me bindjen më të thellë se pavarësisht nga mbështetja e këtij narkoshteti, ky narkoshtet nuk ka legjitimitet. Se pavarësisht nga mbështetja e këtij narkoshteti, raporti i ndërkombëtarëve për zgjedhjet e 11 majit rrëzoi legjitimitetin e kësaj qeverie. Se pavarësisht nga të gjitha mbështetjet, Shqipëria është rrezik kryesor me eksportin e kriminalitetit në Ballkan dhe në Europë. Dhe se kartelet shqiptare të drogës, degë të karteleve të Amerikës Latine, janë sot kartelet më të rrezikshme për Europën. Ne e bëjmë këtë betejë jo vetëm për fëmijët tanë dhe veten tonë, por e bëjmë edhe për miqtë tanë dhe partnerët tanë.” tha Berisha.