Kreu i PD, Sali Berisha ka deklaruar nga jashtë Parlamentit se i kërkon falje ambasadori të Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, nëse ky i fundit e ka konsideruar si fyerje deklaratën e tij më herët ditën e sotme.
Berisha u shpreh se “është gjëja me e thjeshtë të kërkoj ndjesë”, por sipas tij ka qenë vetë Gonzato, i cili ka deklaruar se pas martesës së tij të parë, tani është i martuar me një mashkull. Ai theksoi se deklarata e tij u përdor pa qëllim fyerje dhe se ishte sipas tij përsëritje e deklaratës së vetë ambasadorit.
“Gjëja më e thjeshtë për mua është të kërkoj falje. Por nëse ambasadori Gonzato, në një deklaratë të bërë publike vetë se kam qenë i martuar dhe djalin e vogël e kam 31 vjeç dh tani jetoj me një partner ose jam i martuar me një burrë dhe kjo deklaratë u përdor nga unë, në mënyrë absolute pa asnjë intencion fyerje. Unë jam autor i një ligji që i ka dhënë fund në mënyrë përfundimtare çdo forme diskriminimi.
Thashë këtu që vetë ka qenë binar dhe pastaj ka ndryshuar mendje. Nuk kisha bërë asnjë hetim në jetën e tij. As merrem me jetën e asnjë njeriu. E dëgjova, tha vetë dhe ka bërë këtë deklaratë. Se si qenka fyerje kjo unë këtë nuk e konceptoj. Kam përdorur një deklaratë, një gjë që e kam thënë vetë. Nëse ai e konsideron këtë fyerje atëherë unë sigurisht do ta rikonsideroj qëndrimin tim, i kërkoj falje, nuk kam asnjë hezitim, por nuk ishte për fyerje kjo. Nuk përbën fyerje kjo”, – tha Berisha.
Më herët për këtë çështje reagoi Komisionerja për Zgjerimin e BE, Marta Kos dhe kryeministri Edi Rama.