Parlamenti ka miratuar ligjin për “Barazinë Gjinore”. Partia Socialiste kërkoi ndërprerjen e debatit dhe kalimin e nismës në votim. Sipas deklaratës së kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, vendimi për mbylljen e diskutimeve u mor për të shmangur tensionet në sallë.
Projektligji u miratua me 77 vota pro të mazhorancës dhe 36 kundër të opozitës.
Kuvendi rrëzoi me 77 votat e PS kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor që do të shqyrtonte procedurën për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj. Me këtë votim, procedura për shkarkimin e Kreut të Shtetit konsiderohet e mbyllur, duke mos marrë miratimin e shumicës parlamentare.
Opozita bashkoi votat me PS vetëm për Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore që u miratua me 105 vota pro.