Myslimanët thyejnë tabutë pas 11 shtatorit: Fiton Mamdani në zemër të Amerikës

Ishte një nga gjërat e para jo të zakonshme që Zohran Mamdani bëri gjatë fushatës për kryetar bashkie të Nju Jorkut: u fut në një kioskë mishi hallall.

Duke qëndruar me kostum pranë grilave, teksa shitësit copëtonin pulën dhe skuqnin qoftet, ai i intervistoi për problemin e “inflacionit të hallallit”, siç e quante. Pra, pse pjatat me oriz dhe mish tani kushtojnë 10 dollarë në vend të 8 dollarëve, dhe i pyeti si mund t’i ndihmonte.

Në fillim, shumë myslimanë u pyetën: “A do të zgjidhte ndonjëherë qyteti i Nju Jorkut një kryetar bashkie mysliman?”, tha Mohamed Attia, drejtori menaxhues i Street Vendor Project, i cili e ndihmoi kandidatin të lidhej me kioskat e mishit hallall. Por, shtoi Mohamed Attia, shitësit u frymëzuan dhe lavdërimet për Mamdanin u përhapën tek klientët e tyre dhe në xhami.

Dhe pyetjes: A do të zgjidhte ndonjëherë qyteti i Nju Jorkut një kryetar bashkie mysliman, të martën qyteti për herë të parë iu përgjigj pyetjes me një “po” të fuqishme.

Me zgjedhjen e tij, 34-vjeçari demokrat Mamdani sfidoi reagimin anti-myslimanizmin ndaj kandidaturës së tij dhe theu një pengesë që dukej e pakapërcyeshme që nga sulmet terroriste të 11 Shtatorit, të cilat e transformuan domethënien e të qenit mysliman në qytet.

Ndërsa në Kongres ka katër myslimanë dhe disa kryetarë bashkie myslimanë në qytete amerikane më të vogla, Mamdani, si kryetar i qendrës financiare të Amerikës, do të bëhet zyrtari ekzekutiv mysliman me nivelin më të lartë në vend.

Ai fitoi duke e përqafuar plotësisht besimin e tij mysliman gjatë fushatës, edhe pse ndarjet rreth anti-semitizmit, islamofobisë dhe luftës në Gaza dominuan zgjedhjet, përfshirë komunitetet e mëdha myslimane dhe hebreje të Nju Jorkut.

(Mamdani duke përshëndetur punëtorët e kioskave hallall në Brooklyn të dielën) 

(Mamdani në Qendrën Myslimane të Bronksit në mars)

Pyetjet mbi besimin fetar të Mamdanit, ndoshta edhe të ngatërruara me qëllimet e tij politike, u ngritën shpesh nga kritikët gjatë gjithë fushatës. Në një intervistë televizive muajin e kaluar, Mamdani, kritik i Izraelit, nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë kur u pyet nëse Hamasi duhet të dorëzojë armët dhe të tërhiqet nga Gaza, gjë që nxiti sulme të ashpra dhe sugjerime se ai ishte simpatizant i terroristëve.

Në një intervistë tjetër, në qershor, ai refuzoi të dënonte frazën “globalize the intifada” (globalizoni kryengritjen)e cila konsiderohet thirrje mobilizuese për çlirim ndër palestinezët. Megjithatë, shumë hebrenj e konsiderojnë atë thirrje për dhunë. Më vonë tha se nuk do ta përdorte më frazën dhe do t’i dekurajonte të tjerët ta përdornin.

Pavarësisht kundërshtimeve të mëdha ndaj Mamdanit, Keith Ellison, demokrat dhe prokuror i përgjithshëm i Minesotës, tha se zgjedhja e Mamdanit tregoi “përmirësim dramatik” krahasuar me zgjedhjen e tij në vitin 2006, kur u bë myslimani i parë i zgjedhur në Kongres.

“Kjo flet mirë për vendin tonë, sepse në një moment kur, sipas disave, presidenti fitoi zgjedhjet duke iu referuar dëshirës së njerëzve për të përjashtuar, amerikanët po përpiqen ende të përfshijnë” – tha z. Ellison.

Po ashtu të martën mbrëma, votuesit në Virxhinia zgjodhën Ghazala Hashmi, një demokrate, si zv.guvernatore, duke e bërë atë gruan e parë myslimane që fiton një post shtetëror atje.

Demokratët prej vitesh janë përpjekur të organizojnë votuesit fetarë, por brenda vetëm disa muajsh Mamdani aktivizoi një bazë të re votuesish myslimanë dhe tërhoqi një koalicion progresist ndër-identitar që mbështeti synimet e tij, siç janë: ta bëjë Nju Jorkun të përballueshëm dhe të kundërshtojë fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza, shpesh mbi baza morale.

Tani, fytyra më e dukshme e fesë progresive në Partinë Demokratike nuk është një i krishterë liberal, por një mysliman që e praktikon besimin e tij duke krijuar një hapësirë edhe për moralitetin ndërfetar dhe laik.

Shumë prej pikëpamjeve politike të Zoran Mamdanit nuk lidhen domosdoshmërisht me fenë e tij. Por ai gjithashtu e ka vendosur pa u kompleksuar besimin në qendër të fushatës së tij, duke u drejtuar te gati një milion myslimanët në Nju Jork të cilët, siç tha ai, për shumë kohë ishin mësuar të jetonin “në hije”. 

(Mamdani në një tubim në United Palace, një qendër kulturore në Washington Heights në Manhattan) 

Që nga qershori, rreth një e treta e myslimanëve të Nju Jorkut ishin regjistruar për të votuar, por vetëm rreth një në dhjetë votuan në zgjedhjet e fundit për kryetar bashkie. Myslimanët përbëjnë rreth 1 për qind të popullsisë së SHBA.

Historikisht, myslimanët në Amerikë janë lidhur më shumë me Partinë Demokratike. Por vitet e fundit myslimanët janë shfaqur si një grup më fluid. Veçanërisht, në Miçigan vitin e kaluar, votuesit arabo-amerikanë ndihmuan ta jepnin shtetin për Presidentin Trump, disa duke cituar drejtpërdrejt zhgënjimin me mbështetjen e administratës Biden për Izraelin. Ngjitja e Mamdanit ka treguar se votuesit myslimanë po kërkojnë më shumë angazhim dhe njohje të zërit të tyre.

Mamdani vizitoi më shumë se 50 xhami gjatë fushatës, duke shkuar rregullisht në xhami të ndryshme çdo të premte për xhumanë. Ai bëri fushatë duke agjëruar për Ramazan dhe pati një ceremoni dasme myslimane, të njohur si nikah, në Dubai, ku jeton familja e bashkëshortes së tij. Kur vizitoi familjen e një oficeri policie që u vra me armë zjarri në Manhattan në korrik, ata i thanë se ai dhe oficeri i vrarë kishin qenë në të njëjtin vend për Bajram.

“Ka një përpjekje të vazhdueshme për të vizatuar një gardh të vogël rreth asaj se kush mund të jetë amerikan,” tha Abdul El-Sayed, demokrat dhe ish-drejtor i shëndetit publik që kandidon për Senat në Miçigan. “Kjo është ajo që e bën këtë moment kaq të veçantë.” 

Ashtu si Mamdani, edhe z.El-Sayed është mbështetur te vlerat e besimit të tij mysliman teksa kërkon përgjegjësinë e një posti publik. “Ka një traditë të bukur në fenë tonë që nëse ti ha një vakt të plotë, dhe fqinji mund të nuhasë vaktin tënd dhe nuk ka, atëherë do të kryeje mëkat,” tha ai.

“Për të gjithë ne, pyesni veten: Çfarë ka të keqe të ndash ushqimin tënd? Çfarë ka të keqe të ndash burimet e tua?” shtoi ai.

Vlerat fetare të Mamdanit, dhe politikat që burojnë prej tyre, gjithashtu qëndrojnë në kontrast me markën konservatore të krishterimit që është ngritur brenda Partisë Republikane.

“Ne jemi në një moment të pluralistëve kundër anti-pluralistëve,” tha Zeenat Rahman, drejtoreshë ekzekutive e Institute of Politics në University of Chicago. Anti-pluralistët aktualisht gëzojnë shumë mbështetje shtetërore, por shumica e amerikanëve funksionojnë si pluralistë në jetën e tyre të përditshme, tha ajo.

“Fakti që Mamdani mund të fitonte në këtë klimë më thotë se amerikanët po dëshirojnë një udhëheqje që pasqyron pluralizmin, jo vetëm tolerancën por një besim të vërtetë se diversiteti ynë e forcon demokracinë tonë,” tha ajo.

(Z. Mamdani pas votimit të martën në Astoria, Queens) 
(Mamdani së bashku me zyrtarë të tjerë të zgjedhur në një aktivitet në Xhamajka, Queens)

Mamdani “është parë në kompleksitetin e asaj që përfaqëson,” tha znj. Rahman, i përcaktuar jo thjesht nga feja e tij por nga politikat dhe lidershipi. “Për mua, ky është progresi në histori,” shtoi ajo.

Pas 11 Shtatorit, kur z. Mamdani ishte rreth 13 vjeç, i ati, një politolog në Columbia, shkroi një libër të quajtur “Good Muslim, Bad Muslim”, duke shuar binarin stereotip të identiteteve politike myslimane.

Ai ia dedikoi librin “Zohran-it dhe shokëve të tij” në Ugandë, Cape Town, Nju Jork dhe New Delhi, me shpresën se “së bashku, ata pa dyshim do ta riformësojnë botën që trashëgojnë prej nesh.” 

Edhe pse Mamdani theu pengesa për myslimanët, fushata e tij trazoi veçanërisht hebrenjtë në të gjithë vendin. Gara për kryetar bashkie të Nju Jorkut u bë simbol i debateve më të gjera rreth anti-semitizmit dhe anti-zionizmit që janë intensifikuar që nga sulmi i drejtuar nga Hamasi më 7 tetor ndaj Izraelit.

Myslimanët e ndoqën fushatën e tij me krenari por edhe me frikë, teksa kundërshtarët e Mamdanit u akuzuan se nxitnin urrejtje kundër myslimanëve. Curtis Sliwa, kandidati republikan, e akuzoi padrejtësisht Zohran Mamdanin për mbështetje të “xhihadit global”, dhe Andrew Cuomo, i cili kandidoi si i pavarur, mori pjesë në një debat ku sugjerohej se Mamdani do të festonte një tjetër sulm terrorist si ai i 11 Shtatorit.

Zohran Mamdani u përgjigj me një fjalim emocional mbi përvojat e tij me paragjykimin dhe islamofobinë. Ishte një mënyrë tjetër me të cilën ai e ngriti në pah përditshmërinë e përvojave të myslimanëve në qytet.

Kur Little Flower Cafe, një lokal hallall në Queens, u hap në vitin 2022, pronari, Ali Zaman, tha se z. Mamdani filloi të vinte rregullisht për të porositur pijen e tij të preferuar: një “pink chai” i bërë me çaj jeshil të përzier me sodë buke, si edhe kardamom, ujë trëndafili dhe qumësht.

Fillimisht, Zaman, 29 vjeç, ishte hezitues ndaj Mamdanit, duke u pyetur nëse ai ishte si politikanët e tjerë që, sipas tij, “shiten” me kalimin e kohës. Por gjatë Ramazanit vitin e kaluar, muaj përpara se të shpallte kandidaturën, Mamdani i kërkoi që të organizojë një darkë iftari në restorantin e të atit të z.Zaman, Sami’s Kabab House.

Ata u falën bashkë, “Unë u rrita suni, ai u rrit shia”, dhe Mamdani tha se donte të vajtonte së bashku atë që ai e quajti gjenocidin e palestinezëve në Gaza, kujtoi Zaman.

“Atë natë thashë: Oh, nuk kam asnjë dyshim se çfarë lloj njeriu është,” tha Zaman. “Ai ishte si një vëlla mysliman vërtet i mirë” 

The New York Times, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL 

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top