Kim Kardashian ka zbuluar se përdorimi i inteligjencës artificiale ChatGPT e ka ndihmuar më pak sesa priste gjatë studimeve të saj për drejtësi – madje ajo thotë se chatbot-i është “fajtor” për disa prej dështimeve të saj në provime.
Gjatë një testi me detektor gënjeshtrash për Vanity Fair, Kim pranoi se shpesh i drejtohet ChatGPT-së për “këshilla ligjore”.
“Kur dua të di përgjigjen e ndonjë pyetjeje, bëj një foto dhe e vendos aty,” – tregoi ajo. “Por përgjigjet janë gjithmonë gabim. Më kanë bërë të dështoj në provime gjithmonë.”
Ajo shtoi se marrëdhënia e saj me chatbot-in është “toksike” dhe e përshkroi ChatGPT-në si një “frenemy” – një mik që njëkohësisht është edhe armik.
“Do t’i them: ‘Po më bën të dështoj, si ndihesh për këtë?’ Dhe më kthen përgjigje: ‘Kjo po të mëson të besosh instinktet e tua. Ti e dije përgjigjen që në fillim.’”
Kim zbuloi gjithashtu se shpesh i dërgon pamje nga bisedat me ChatGPT-në në grupin e saj të miqve, duke i shkruar me shaka:
“A mund ta besoni si më flet kjo? Është çmenduri!”
Ylli i serialit The Kardashians nisi rrugëtimin e saj drejt profesionit të avokates në vitin 2019, i frymëzuar nga puna e babait të saj, avokatit të njohur Robert Kardashian.
Pas disa dështimeve në “baby bar”, Kim arriti të kalonte provimin në vitin 2021 dhe këtë vit festoi përfundimin e shkollës së drejtësisë pas gjashtë vitesh studimi.