Transferta me Andorrën e pastaj e fundit në shtëpi me Anglinë. Luhet një vend në playoff pikërisht në dy sfidat e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Ndaj dhe e gjithë vëmendja është te seleksioni i teknikut Sylvinho e nëse do të thërrasë emrat e munguar së fundmi e të evokuar nga të gjithë.
Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026 në grupin K, ndaj Andorrës dhe Anglisë. Trajneri Sylvinho do të publikojë listën me lojtarët e grumbulluar ditën e premte, më 7 nëntor. Më pas, ai do të dalë në konferencë për mediat në “Shtëpinë e Futbollit”, ku do të flasë për listën dhe për dy sfidat e fundit kualifikuese.
Grumbullimi zyrtar i Kombëtares do të nisë të hënën, në Barcelonë. Ndeshja Andorra – Shqipëri do të luhet më 13 nëntor, në “Estadi FAF Encamp”, në orën 20:45. Sfida e fundit e kuqezinjve në këto kualifikuese do të zhvillohet më 16 nëntor, në stadiumin “Air Albania”, ndaj Anglisë, në orën 18:00. Shqipëria renditet në vendin e dytë në grupin K me 11 pikë.