Partia Demokrate fitoi drejtimin e qytetit të Nju Jorkut, si dhe postet e guvernatorëve në New Jersey dhe Virginia — dy shtete kyçe që deri tani konsideroheshin terren i lëkundur për republikanët.
Në një reagim në platformën e tij Truth Social, Trump pranoi humbjen, por u shpreh se mungesa e tij në fletën e votimit dhe mbyllja e qeverisë ishin arsyet pse republikanët humbën zgjedhjet.
Zohran Mamdani me origjinë nga një nënë indiane dhe një baba nga Uganda, Mamdani bëhet gjithashtu kryetari më i ri i qytetit në më shumë se një shekull. Ai nisi karrierën si kongresmen shtetëror i panjohur, i mbështetur nga krahu progresiv i partisë, përfshirë Bernie Sanders dhe Alexandria Ocasio-Cortez. Në fund, edhe Barack Obama i dha mbështetje të tërthortë, ndonëse jo zyrtare.
Mamdani fitoi me mbi 50% të votave, duke ruajtur një diferencë prej rreth 10 pikësh ndaj ish-guvernatorit Andrew Cuomo, i cili kandidoi si i pavarur me mbështetjen e Donald Trump dhe Elon Musk. Kandidati republikan Curtis Sliwa arriti vetëm 10%.
Dy guvernatore të para femra në New Jersey dhe Virginia
Në Virginia, demokratët bënë histori duke zgjedhur Abigail Spanberger, ish-operative e CIA-s, si guvernatoren e parë femër të shtetit. Ajo fitoi ndaj kandidatit republikan të mbështetur nga Trump dhe solli në ekipin e saj Ghazala Hashmi, senatoren e parë myslimane dhe me origjinë indiane në nivel shtetëror.
Në New Jersey, fitorja i takoi Mikie Sherrill, një ish-prokurore federale dhe veterane e Marinës, e cila mundi biznesmenin republikan Jack Ciattarelli. Sherrill u bë gruaja e parë që drejton “Shtetin e Kopshtit”.