Gjykata Federale e SHBA ka mbyllur përfundimisht padinë kundërpërgjigjëse prej 400 milionë dollarësh të aktorit dhe regjisorit Justin Baldoni ndaj aktores Blake Lively dhe bashkëshortit të saj, aktorit Ryan Reynolds, sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Page Six.
Vendimi është marrë të premten nga gjyqtari Lewis Liman, i cili konfirmoi se Baldoni dhe kompania e tij e produksionit, Wayfarer Studios, nuk kishin dorëzuar një ankesë të ndryshuar, siç u ishte kërkuar më herët nga gjykata.
Në vendimin e tij, Liman sqaroi se kishte njoftuar të gjitha palët që në mes të tetorit se çështja do të mbyllej nëse nuk kishte reagime shtesë. Sipas tij, vetëm Blake Lively kishte kthyer përgjigje zyrtare, duke kërkuar që kërkesa e saj për rimbursim të shpenzimeve ligjore të mbetej aktive – kërkesë që gjyqtari e pranoi.
Ekipi ligjor i Baldonit tha për Page Six se aktori nuk ka reaguar me qëllim, në mënyrë që të ruajë të drejtën për të apeluar vendimin.
Padia e Baldonit u ngrit në janar 2025, pasi Lively e kishte akuzuar atë për ngacmim seksual dhe hakmarrje gjatë xhirimeve të filmit të tyre të përbashkët, It Ends With Us. Aktorja kishte paraqitur ankesën zyrtare në dhjetor 2024, e ndjekur nga një padi formale kundër Baldonit dhe kompanisë së tij.
Në qershor, gjykatësi Liman kishte hedhur poshtë fillimisht padinë e Baldonit për shpifje dhe shantazh, duke theksuar se nuk kishte prova që Lively të ishte përgjegjëse për ndonjë deklaratë publike përtej atyre të përfshira në ankesën e saj ligjore, të cilat mbrohen nga privilegji ligjor.
Ndërsa padia e Baldonit është mbyllur, procesi gjyqësor kundër tij, i ngritur nga Lively, pritet të nisë në mars 2026.