Më 4 nëntor 1990, Shqipëria përjetoi një ngjarje që do të shënonte përgjithmonë fundin e epokës së frikës dhe fillimin e ringjalljes shpirtërore kombëtare. Në varrezat e Rrmajit në Shkodër, mes qindra besimtarëve që kishin ardhur nga çdo anë, Dom Simon Jubani, prifti i pathyeshëm që kishte vuajtur 26 vjet në burgjet e regjimit komunist, kremtoi Meshën e parë publike pas më shumë se dy dekadash ndalimi të plotë të fesë në Shqipëri.
Ishte një ditë e ftohtë nëntori, qielli i errët sikur mbante në vete pesha e dekadave të shtypjes, por në sytë e njerëzve digjej një dritë e panjohur më parë – drita e lirisë. Ajo meshë nuk ishte thjesht një akt fetar, por një akt guximi, një shpërthim i shpirtit të lirë shqiptar, një kthesë historike që paralajmëroi fundin e diktaturës.
Unë kam qenë pjesëtar i asaj meshe. Ishte hera e parë që shikoja një prift katolik, dhe për mua – si për shumë të tjerë – ishte sikur të shihja për herë të parë një dritë që vinte nga një botë tjetër, e ndaluar për dekada. Aty, mes qindra burrash, grash, të moshuarish e të rinjsh, ndjeva për herë të parë aromën e lirisë dhe fuqinë e besimit.
Kisha Katolike shqiptare, e quajtur me të drejtë “martirja e demokracisë”, ishte ringjallur nga hiri i vet. Ajo që kishte përballuar pushkatimet, burgimet dhe torturat më çnjerëzore, tashmë ngrihej sërish, e përgjakur por e gjallë, për të dëshmuar se shpirti nuk vdes.
Dom Simon Jubani nuk ishte vetëm një meshtar. Ai ishte një simbol kombëtar i qëndresës, i dinjitetit dhe i besës. Pasi kishte kaluar një çerek shekulli në burg, ai doli prej andej pa urrejtje, pa dëshirë për hakmarrje, por me një bindje të thellë se e vërteta dhe Zoti nuk mund të burgosen. Ai e dinte se dita e lirisë do të vinte, dhe ajo ditë erdhi – në Rrmaj, nën qiellin e hapur të Shkodrës.
Kur ai ngriti duart dhe filloi Meshën, një drithërimë përshkoi turmën. Njerëzit qanin, përqafonin njëri-tjetrin, disa mbanin flamurin kuqezi, të tjerë përshëndetnin qiellin me sytë e mbushur me lot. Për herë të parë pas shumë vitesh, fjala “Zot” u shqiptua publikisht, dhe ajo fjalë tingëllonte si një kambanë që zgjonte ndërgjegjen e një kombi të plagosur.
“Ne jemi të lirë të besojmë dhe të adhurojmë Zotin tonë,” tha Dom Simon Jubani atë ditë. Ai nuk predikonte vetëm fenë, por lirinë, ai fliste jo vetëm për shpëtimin e shpirtit, por për çlirimin e njeriut nga frika, gënjeshtra dhe shtypja.
Ajo meshë u bë një akt i hapur sfide ndaj diktaturës. Pa asnjë urdhër politik, pa asnjë flamur partie, pa asnjë armë – vetëm me forcën e shpirtit. Ishte një revolucion paqësor, që nisi jo nga zyrat e pushtetit, por nga zemra e popullit.
E kujtoj ende sot atë ditë me emocione të pashlyeshme. E kujtoj fytyrën e Dom Simon Jubanit – të qetë, të ndritur, me një buzëqeshje të lehtë që fshihte pas vetes dekada vuajtjeje. E kujtoj erën e avullit që ngrihej nga dheu i ftohtë, përzier me aromën e temjanit dhe lotët e njerëzve që e përshëndetnin Zotin pas një heshtjeje prej gjysmë shekulli. Ajo nuk ishte vetëm një meshë – ishte pagëzimi i parë i lirisë shqiptare.
Në vitet që pasuan, Dom Simon Jubani mbeti i njëjti njeri i thjeshtë dhe i përulur, që predikonte pa kompromis të vërtetën, që e donte Shqipërinë dhe njerëzit e saj me shpirt. Ai nuk kërkoi poste, as lavdi, as shpërblime. Ai mbeti shërbëtori i Zotit dhe i kombit, një zë i arsyes dhe i ndërgjegjes në një shoqëri që ende kërkonte rrugën e saj drejt dritës.
Sot, më shumë se tri dekada pas asaj dite, emri i Dom Simon Jubanit është një monument i gjallë i lirisë shqiptare. Ai është prifti që i dha fund heshtjes, që ndezi dritën e Zotit në errësirën e diktaturës dhe që u bë frymëzim për një komb të tërë që po rilindte nga hiri i frikës.
Ne që ishim aty, jemi dëshmitarë të një mrekullie. Ishte dita kur Zoti u kthye në Shqipëri, dhe me Të u kthye edhe nderi, shpresa dhe liria.
Dom Simon Jubani do të mbetet përjetësisht zëri i Zotit dhe i Lirisë, prifti që guxoi të shpallte në mes të errësirës:
“Askush s’mund ta ndalë shpirtin e lirë të njeriut.”
Dhe ky zë do të kumbojë gjithmonë në ndërgjegjen e çdo shqiptari që beson në dritë, në Zot dhe në liri