Penalltia e pritur ndaj Kylian Mbappé në “El Clasico” nuk mjaftoi për t’i shmangur Barcelonës humbjen, por mjeshtëria e Wojciech Szczesny fitoi gjithsesi faqet e para të ndeshjes, për shkak të gjestit të mrekullueshëm teknik dhe atletik të portierit polak. Ish-portieri i Romës dhe Juventusit shpjegoi se si ia doli të neutralizonte goditjen e francezit: nuk ishte thjesht çështje intuitash apo fati, pas atij kërcimi spektakolar qëndronte një studim i saktë, metodik dhe i durueshëm i kundërshtarit.
Ai analizon gjithçka – nga lëvizjet te qëndrimi i trupit, deri te shpeshtësia e trajektoreve që zgjedh zakonisht lojtari që përgatitet të godasë nga pika e bardhë. “Tek” (është nofka e tij) e kishte studiuar aq mirë ish-sulmuesin e PSG-së, saqë kishte memorizuar çdo informacion deri në atë pikë sa e konsideronte “mjaft të qartë” që do t’ia dilte ta ndalte goditjen nga 11 metra.
Wojciech Tomasz Szczęsny #ElClásico | #LaLigaHighlights pic.twitter.com/HMqTux09te
— FC Barcelona (@FCBarcelona_es) October 26, 2025
Në intervistën për kanalin YouTube të katalanasve, Szczesny iu nënshtrua pyetjeve të tifozëve, shumica e të cilëve e pyetën se si kishte arritur ta mbyllte portën përballë Mbappé dhe cili ishte sekreti i tij – nëse ndjek një stërvitje të veçantë apo ka një rutinë specifike në fazën e përgatitjes.
“Para çdo ndeshjeje studioj shumë – thotë portieri polak, duke lënë qartë të kuptohet sa thelbësor është edhe puna e bërë duke parë një sërë videosh. – Përqendroj vëmendjen time te njëzet penalltitë e fundit që zakonisht janë gjuajtur nga dy ose tre ekzekutuesit kryesorë të çdo skuadre.” Kjo është vetëm një pjesë e dosjes analitike, e bazuar në një spektër të gjerë të dhënash që mbledhin një mesatare të goditjeve dhe karakteristikave të secilit futbollist. “Shihet pak a shumë se si sillen gjatë karrierës dhe për këtë përpiqem të gjej sa më shumë të dhëna të mundshme. Ka disa që, për shembull, gjuajnë ndryshe në varësi të momentit të ndeshjes apo rezultatit.”
Si ia doli të ndalte goditjen e Mbappé nga pika e bardhë
Sa i përket Mbappé, Szczesny sqaroi se në bazë të vendimit të tij për anën ku do të hidhej kishte një precedent mjaft të afërt. Ai i përkiste “El Clasico” së kthimit të sezonit të kaluar dhe ishte i bindur që francezi do ta gjuante penalltinë në të njëjtën mënyrë, bazuar në një sërë deduksionesh dhe në një bindje të fortë. “Ishte mjaft e qartë – shtoi ai. – Kështu më shënoi herën e fundit nga pika e bardhë dhe e dija që do të zgjidhte të njëjtin drejtim. Pastaj duhet vetëm të lutesh për ta arritur topin.”
Kontrolli i emocioneve dhe përfitimet e meditimit
Forca e qetësisë është arma më e mirë për t’u përdorur në kushte ekstreme si ato të një penalltie apo të një ndeshjeje shpesh të tensionuar si “El Clasico”. Meditimi, të cilit i përkushtohet edhe përpara një ndeshjeje, është thelbësor në këtë drejtim. “Shkëputem nga emocionet e mia. Bëj ushtrime frymëmarrjeje para çdo ndeshjeje dhe gjithashtu gjatë pushimit mes pjesëve. Nuk më intereson nëse të gjithë më shikojnë në dhomën e zhveshjes.”