Deputetët e opozitës kanë braktisur punimet e Kuvendit, pasi kërkesa e tyre për ngritjen e dy komisioneve hetimore, njëri për çështjen, “McGonigal” dhe tjetri për zgjedhjet e 11 majit nuk u pranua nga mazhoranca.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla tha se kërkesa e demokratëve ishte e paplotë dhe e ftoi opozitën që të bëhet pjesë e komisionit të Reformës Zgjedhore. Sipas Ballës zgjedhjet e 11 majit u certifikuan nga institucionet ndërkombëtare.
Ballës iu përgjigj kreu i PD-së, Sali Berisha që tha se zgjedhjet e 11 majit, morën damkën si farsë elektorale në raportin e OSBE-ODIHR dhe se opozitës po i mohohet e drejta kushtetuese për ngritjen e komisionit hetimor.
“Ky është një akt ndër më të rëndët në historinë e vendit. Ju garantoj se ne do bëjmë cdo betejë për të rikthyer votën e lirë. Dhe se për këtë betejë ju vetëm sa firmosni fundin e këtij parlamenti. Ne nuk kemi njohur zgjedhjet dhe rezultatin e tyre”, – tha Berisha.
“Shkelën parimet më themelore të zgjedhjeve të drejta. Që përdorën të gjithë mekanizmat e një diktature autokratike për të deformuar rezultatin e tani keni frikë nga mijëra e mijëra fakte që ne disponojmë për t’iu paraqitur shqiptarëve si ishte farsa. E ju besoni se duke na bllokuar ne të drejtën kushtetuese do të mund të kapërceni këtë. Kurrë jo! Ne do ju përgjigjemi” – tha Berisha.
PD pritet të mbledhë të premten Grupin Parlamentar për të vendosur hapat që do të ndjekë pas këtij refuzimi nga Partia Socialiste.
“Nesër, e premte datë 31 Tetor, ora 12:00, mbledhje e posaçme e Grupit Parlamentar të PD lidhur me situatën e krijuar sot në Kuvend me mohimin e të drejtave kushtetuese të opozitës. Lutem të mos ketë asnjë mungesë për shkak të rëndësisë së mbledhjes’, thuhet në njoftimin e Grupit Parlamentar të PD-së” – thuhet në njoftimin që u është dërguar deputetëve të PD-së.