Administrata e Trump-it ka hequr sanksionet ndaj një aleati kleptokrat të presidentit rus Vladimir Putin, i cili këtë muaj u shkarkua nga posti i presidentit të entitetit serb brenda Bosnjë dhe Hercegovinës, sepse po gërryente marrëveshjen e paqes të ndërmjetësuar nga SHBA që i dha fund dhunës së përgjakshme etnike në Ballkan në vitet ’90.
Heqja e sanksioneve ndaj Milorad Dodikut erdhi pas një fushate lobimi që zgjati me muaj nga aleatë të Donald Trump-it, të cilët e paraqitën liderin nacionalist serb si një mbrojtës të “vlerave të krishtera” në një vend me popullsi të madhe myslimane dhe si një viktimë të një lloj “lawfare” (përdorimi politik i drejtësisë) që po ushtrohet edhe ndaj ish-presidentit amerikan.
Dodik ishte sanksionuar nga SHBA për shpërfilljen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, e cila u arrit me shumë mund në Ohajo në vitin 1995 për t’i dhënë fund Luftës së Bosnjës. Ndërsa marrëveshja e ndali gjakderdhjen, ajo e ndau Bosnjën në dy entitete: Federatën, ku myslimanët boshnjakë ndajnë pushtetin me kroatët, dhe Republikën Srpska me shumicë serbe.
Gjatë mbi 20 viteve në dhe rreth pushtetit në Srpska, Dodik kërcënoi vazhdimisht se do të shkëputej nga Bosnja dhe do të “ribashkohej” me Serbinë. Ai ka bllokuar integrimin e Bosnjës në Europë duke nxitur tensione etnike, takohet shpesh me Putinin në Rusi dhe ka kultivuar atë që Departamenti amerikan i Thesarit e ka quajtur më herët një “rrjet korrupsioni dhe klientelizmi”.
Boshnjakët kishin filluar së fundmi të imagjinonin një të ardhme pas Dodikut, pasi lideri afatgjatë u dënua nga një gjykatë shtetërore e Bosnjës për minimin e marrëveshjes së Dejtonit, iu ndalua mbajtja e funksioneve politike dhe iu hoq posti i presidentit. Por ekspertët thonë se heqja e papritur dhe e paqartë e sanksioneve ndaj Dodikut mund t’i lejojë atij të vazhdojë të dominojë Srpskën, duke u treguar njëkohësisht autokratëve të tjerë në rajon se një lobim i mirëfinancuar mund të sjellë përfitime nga Uashingtoni i Trump-it.
“Çfarë mesazhi jep kjo – që nëse ke lidhjet e duhura dhe lobistët e duhur, mund të hiqesh nga lista e sanksioneve? Po vendoset një precedent negativ,” tha për CNN Andi Hoxhaj, ekspert i Ballkanit në King’s College London. Ai shtoi se, duke ardhur tre javë para 30-vjetorit të Dejtonit, koha kur u mor vendimi nga administrata Trump ishte veçanërisht dëshpëruese.
Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja e SHBA-së (OFAC) nuk shpjegoi pse i hoqi sanksionet Dodikut, si edhe dhjetëra aleatëve të tij, anëtarëve të familjes dhe kompanive të lidhura me ta. CNN i ka kërkuar një koment Departamentit të Thesarit.
Departamenti i Shtetit tha se vendimi u mor pasi Asambleja Kombëtare e Srpskës ndërmori “veprime konstruktive” javët e fundit për të “përmirësuar stabilitetin” në vend, me sa duket duke aluduar për emërimin nga Srpska të një presidenti të përkohshëm pasi Dodikut iu hoq posti në gusht dhe – pasi fillimisht kërcënoi se do t’i sfidonte autoritetet boshnjake – ai u tërhoq fillim të këtij muaji.
Dodik falënderoi Trump-in dhe aleatët e tij për heqjen e sanksioneve ndaj tij, duke thënë se vendimi korrigjoi “një padrejtësi të rëndë” që, sipas tij, i ishte bërë Srpskës “nga administratat Obama dhe Biden.” Ajo që Dodik nuk përmendi, megjithatë, është se ai u sanksionua edhe nga vetë administrata e Trump-it në korrik 2017 për bllokimin e zbatimit të marrëveshjes së Dejtonit. Administrata Biden vendosi sanksione të reja ndaj tij në vitin 2022 dhe përsëri në fillim të vitit 2025.
Dodik nisi ta afrohej me Trump-in para zgjedhjeve të vitit 2024, kur presidenti përballej me dhjetëra akuza penale. “Amerikës i duhesh ti, por edhe pjesës tjetër të botës!” i shkroi Dodik Trump-it në shtator të atij viti, pas atentatit të dytë ndaj tij.
Ngjyrat e flamurit amerikan ndriçuan Pallatin e Republikës në Banja Luka, Republika Srpska, më 6 nëntor 2024, për të shënuar rizgjedhjen e presidentit amerikan Donald Trump. (Radivoje Pavicic/AP)
Që prej kthimit të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, afrimet e Dodikut janë amplifikuar nga disa aleatë të presidentit. Rod Blagojevich – ish-guvernatori i Illinois-it, i cili kaloi tetë vjet në burg për akuza korrupsioni para se të falhej nga Trump-i në shkurt – ka muaj që poston në mbështetje të Dodikut.
Në një postim të mërkurën ku falënderonte Trump-in për heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut, Blagojevich nënshkroi: “Ky material shpërndahet nga RRB Strategies LLC në emër të Republikës Srpska. Informacione shtesë janë të disponueshme në Departamentin e Drejtësisë, Washington, DC.”
Dosjet e depozituara në Departamentin e Drejtësisë tregojnë se RRB Strategies, firma e Blagojevich-it, nënshkroi në mars një kontratë me qeverinë e Srpskës, duke rënë dakord të “lobojë te përfaqësuesit e shtetit për të parandaluar atë që perceptohet si një gjueti shtrigash ndaj zyrtarëve të Srpskës” dhe të “kërkojë heqjen e sanksioneve” ndaj tyre. Vlera e kontratës është fshehur.
Marc Zell, një tjetër lobist, nënshkroi gjithashtu një kontratë me qeverinë e Srpskës në dhjetor 2024 me vlerë 1 milion dollarë për një vit punë, plus një bonus nëse firma e Zell-it do të arrinte me sukses heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut dhe aleatëve të tij, sipas dokumenteve të depozituara po ashtu në faqen e Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj të Departamentit të Drejtësisë. Në një email, Zell i tha CNN-it se klauzola për pagesën e bonusit u anulua në përputhje me ligjin amerikan.
Këtë muaj, figura të rëndësishme të lëvizjes MAGA iu bashkuan korit të aleatëve të Trump-it që po mbronin kauzën e Dodikut. Laura Loomer, influencuese e ekstremit të djathtë me akses të drejtpërdrejtë te presidenti, tha se shkarkimi i Dodikut nga posti i presidentit të Srpskës ishte “shembulli më i fundit i sulmit të hapur ndaj liderëve të ngjashëm me Trump-in nëpër botë.” Ajo pohoi se Dodik – një lider “i krishterë” – po “përjeton sulme të pamëshirshme politike nga një koalicion myslimanësh dhe globalistësh.”
Michael Flynn, ish-këshilltari i sigurisë kombëtare i Trump-it, bëri thirrje që Trump-i ta “përqafojë” Dodikun dhe që SHBA-të të bashkohen me Srpskën për të mposhtur globalistët “që synojnë shkatërrimin e të gjithëve ne.”
Rudy Giuliani, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut dhe ish-avokati personal i Trump-it, vizitoi Srpskën në shkurt dhe e ftoi Dodikun në podcast-in e tij, duke ekspozuar kapele me mbishkrimin “Make Srpska Great Again” përkrah kapelave të famshme MAGA të Trump-it.
Hoxhaj, eksperti i Ballkanit, tha se Dodik do ta përdorë heqjen e sanksioneve për të thënë “para njerëzve të vet dhe para publikut se ai është rehabilituar nga SHBA-ja dhe se ajo që iu bë atij ishte e padrejtë.”
Senatorja amerikane Jeanne Shaheen nga Nju Hempshajër, demokratja më e lartë në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, e dënoi heqjen e sanksioneve si “të pamatur dhe të parakohshme.”
“Dodik ka minuar Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, është afruar me Putinin dhe ka përfituar nga korrupsioni – këto nuk janë kurrsesi arsye për t’i hequr sanksionet,” tha ajo. “Populli amerikan meriton përgjigje.”/CNN