Inter mund 3-0 Fiorentinën në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë të Serie A dhe rikthen menjëherë tri pikët pas humbjes së rëndë në Napoli, duke u ngjitur në vendin e tretë të renditjes me 18 pikë, në kuotë të barabartë me Milan. Skuadra e teknikut Chivu dominon ndeshjen nga fillimi në fund, për më shumë se një orë përplaset me murin vjollcë dhe me një De Gea në formë të shkëlqyer, vendimtar të paktën në tri raste, pastaj zhbllokon dhe fiton ndeshjen falë golave të mesfushorëve të saj: i pari është një silurë nga jashtë zone e Calhanoglu që përfundon në cepin e poshtëm të portës, i dyti është një shpikje e Sucic, i cili merr një pasim nga Lautaro dhe mposht portierin vjollcë pas një veprimi magjik.
Pak minuta para fundit vjen goditja përfundimtare për toskanët: kartoni i dytë i verdhë dhe përjashtim për Viti pas një faulli në zonë ndaj Bonny, i cili po shkonte drejt portës; penalltia ekzekutohet saktë nga i zakonshmi Calhanoglu. Fiorentina bie pas një rezistence të mirë, por bën shumë pak për të shpresuar se mund të dilte nga “San Siro” me një rezultat ndryshe nga humbja. Skuadra e teknikut Pioli mbetet e ngulur në kuotën e 4 pikëve, në vendin e parafundit në renditje dhe ende pa fitore pas një të katërtës së kampionatit. Projekti i ish-trajnerit të Milan vazhdon të mos marrë hov dhe tani për të situata bëhet tepër e ndërlikuar.
Ndeshjet e tjera
Java e nëntë e Serisë A përfundon me barazimin mes Bologna e Torino. Emiljanët dhe “granatat” dalin nga “Dall’Ara” me një 0-0 pa ngjyra, ku keqardhja më e madhe mbetet traversa e Che Adams. Dy lojtarët e Kombëtares Ardian Ismajli e Kristjan Asllani u futën si zëvendësues. Mbrojtësi hyri në munitën e 58’, ndërsa mesfushori në të 79’. Ndërkohë, Cremonese mposhti 2-0 Genoa në “Marassi” dhe i fut gjithnjë e më shumë në vështirësi “Grifonët”: Nicola gëzon për dygolëshin e një Bonazzoli të papërmbajtshëm, autor i një goli të bukur me roveshatë. Shpërthen protesta e tifozëve kuqeblu, Vieira lëkundet në stolin e tij.