Dinamo fiton edhe derbin me Partizanin, duke vazhduar ngjitjen drejt kreut të Superiores, duke përfituar edhe nga ndalesa e Vllaznisë. Skuadra e Ilir Dajës ka triumfuar, në ndeshjen e vlefshme për javën e 9-të të kampionatit, që mbylli edhe fazën e parë. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, përfundoi 2-0 me autogolin e pabesueshëm të Atanaskoski dhe golin e Nezirit, që i shkaktuan Kërnajës humbjen e parë, në tre ndeshje në pankinë.
Kura Kërnaja mbaron efektin dhe Partizani kthehet i brishtë në derbin e kryeqytetit. Dinamo ishte shumë autoritare për të kuqtë, që kishin edhe mungesat e Sembene e Bintsouka të dëmtuar dhe Gudjufit të skualifikuar. Sidoqoftë, ekuilibrat i prishi autogoli i pabesueshëm i minutës së 54’. Atanaskoski, në mënyrën më absurde goditi topin nën presionin e kundërshtarit, duke e dërguar me forcë në rrjetë, me Qirkon të shtangur, që nuk po arrinte ta kuptonte veprimin e maqedonasit.
Partizani u përpoq të reagonte, por Dinamo kishte tani skenën e preferuar të lojës, ku lojtarët e Dajës mund të ekzaltonin aftësitë e tyre në hapësirat e krijuara. Faton Neziri mbylli llogaritë në minutën e 75-të, duke i dhënë fitoren bluve të Ilir Dajës. “Nëse duhet të flas akoma për taktikën, s’bëj mirë – tha tekniku pas ndeshjes -. Këtë ndeshje e fitojnë lojtarët. Edhe ne, edhe Partizani kishim vetëm 2 ditë kohë. Në këto 2 ditë, çfarëdo të bëjmë, s’kemi kohën e duhur për të bërë gjithçka. E gjithë kjo eufori dhe fitorja e derbit, u shkon të gjithë lojtarëve të mi dhe arritën që të marrin fitore në derbi dhe të vazhdojnë rrugën drejt objektivave tona”.
Kërnajanga ana tjetër vazhdon të shohë ndeshje tjetër, duke e konsideruar të dominuar derbin e humbur: “Dinamo Superiore? Nuk na imponoi asgjë në pjesën e parë, me atë që kemi parë ne. Kemi qenë dominant ne, jo Dinamo. Dinamo ishte dominante në 10 minutat e para. Kishim rastet tona, si rasti i golit, rasti tjetër. Pasi shkuam 2-0, tentuam mënyrë tjetër, por ne s’kishim çfarë të humbnim”.
Kështu, Dinamo shkon në vendin e katërt me 17 pikë të grumbulluara. Në krahun tjetër, me vetëm 8 pikë pas 9 javësh kampionat, Partizani mban vendin e 8 në tabelën e klasifikimit, në zonën playout që komplikon ndjeshëm ecurinë e skuadrës në pjesën e mbetur të kampionatit.