Egnatia imponohet 1-0 përballë Teutës në javën e 9 të Abissnet Superiore. Vendosi Albanese, por është një rezultat historik për rrogozhinasit, që për herë të parë ndonjëherë ia dolën të mposhtin durrsakët në kampionat. Buzëqesh Tetova, që i shkakton humbjen e parë sezonale Dobit. “Normalisht është fitore e rëndësishme – tha Edlir Tetova -. Teuta ishte ekipi për t’u mundur se përderisa kishte 0 humbje. Mendoj që e merituam.
Tetova riktheu formacionin e zakonshëm, ndërsa Kryeziu zëvendësoi Aleksin. Dobi në anën tjetër mbajti sulmin pa pika referimi, por gjërat nuk shkuan si do të donte tekniku. Ruçi e Fadeiro provuan pa sukses të impenjojnë portierët respektivë, por ndeshjen do ta zhbllokonte Albanese. Një gabim i Kotobellit i dha mundësinë Selmanit të shërbejë për italianin, që mposhti portierin kundërshtar në minutën e 43’, duke i cuar në avantazh kampionët në fuqi në dhomat e zhveshjes. “Nuk e kishim menduar humbjen sot, por ja që erdhi – shpjegoi Dobi -. Donim ta kalonim fazën e parë pa humbje, por ky është futbolli. Ishte ndeshje për 0-0, por bëmë një gabim. Tregoi që po nuk patëm disiplinën, ekipe si Egnatia shënojnë. Por është një mësim”.
Egnatia luajti një pjesë të dytë në kontroll, ndërsa Dobi shty përpara të tijtë. Fadeiro rrezikoi i pari në minutën e 47’, ndërsa Ruçi u përgjigj pas një çerekorëshi lojë. Sidoqoftë, Tetova u kujdes më shumë të ruante avantazhin, duke zëvendësuar 10 minuta nga fundi edhe sulmuesit Albanese e Buric. “Unë kam këtë mënyrë lojë, kushdo të vijë të më mundë kështu, ose do fitoj a barazoj kështu – tha Tetova -. Egnatia do luajë kështu me mua. Sot numri 6 ishte Kryeziu, normalisht duhej të ishte pak më shpejt në manovër, por është në rrugë të mirë dhe e përgëzoj për lojën.
Presingu i Teutës nuk e ndryshoi dot rezultatin, me Teutën që pëson kështu humbjen e parë në këtë kampionat. Egnatia kthehet të fitojë pas dy barazimeve radhazi, duke e ngushtuar tashmë diferencën me Vllazninë në vetëm 1 pikë, por me shkodranët që duhet ende të luajnë ndeshjen e tyre të fundit të fazës së parë.