Një tërmet i fortë me magnitudë 6.1 të shkallës Rihter goditi Turqinë këtë mbrëmje. Epiqendra ishte në Balıkesir, por lëkundjet u ndjenë deri në Stamboll dhe në ishujt e Egjeut.
Tërmeti goditi në orën 22:48 sipas kohës lokale dhe kishte një thellësi prej 5.99 kilometrash.
Kryetari i bashkisë së Sidirgi, e cila ishte më e goditura e tërmetit, tha se disa ndërtesa ishin shembur. Ministri turk i Shëndetësisë tha se për momentin nuk kishte raportime për viktima ose të lënduar.
Ndërsa, Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya i tha CNN Türk se bëhej fjalë për 3 ndërtesa dhe 1 dyqan që ishin shkatërruar. Yerlikaya tha gjithashtu se nuk kishte të dhëna për viktima.
“Të gjitha ekipet tona filluan menjëherë të kryenin hetime në vendngjarje. U shpreh urimet e mia më të mira qytetarëve tanë që u prekën nga tërmeti”, – u shpreh Yerlikaya.
Tërmeti është ndjerë edhe në Izmir, Kutahya, Yalova, Stamboll, Manisa, Usak, Aydin, Eskişehir, Sakarya, Yalova dhe Tekirdag. Tashmë po regjistrohen edhe lëkundje pasuese, ku më e madhja deri më tani ka qenë 4.2 ballë të shkallës Rihter. Menjëherë pas tërmetit të fortë, dhjetëra qytetarë dolën në rrugë.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan bëri gjithashtu një deklaratë në lidhje me tërmetin: “Njësitë tona po kryejnë hetime dhe kontrolle të hollësishme në terren. Ne gjithashtu po e monitorojmë nga afër situatën” – tha ai.