ÇËSHTJA E KOSOVËS, TESTON POLITIKANËT SHQIPTARË

 

ÇËSHTJA E KOSOVËS, TESTON POLITIKANËT SHQIPTARË

 

(Artikulli me titull “Çështja e Kosovës, teston politikanët shqiptarë” është botuar nga Mujë Buçpapaj në gazetën “Rilindja Demokratike” (RD), organ zyrtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, më datë 12 prill 1998).

 

Nga  Mujë Buçpapaj

 

 

Çështja e Kosovës, domethëni çështja e pavarësisë së saj, testoi këtë fillim pranvere politikanët shqiptarë. Në daç politikanët e majtë, në daç politikanët e djathtë, në daç ata të qendrës, u gjendën të papërgatitur për të formuluar politikisht kërkesat e shtatë milionë shqiptarëve në Ballkan për liri dhe bashkim kombëtar.

Thashë në fillim të këtij shkrimi, u gjendën të papërgatitur, për të theksuar më poshtë se ata që janë në krye të këtij spektri politik, nuk kanë për të qenë kurrë ndonjëherë të disponueshëm politikisht për të paraprirë ose udhëheqë këtë proces të pashmangshëm historik, duke qenë 100 vjet më vonë në këto kërkesa, se sa rilindasit tanë si në formulimin ideologjik edhe atë politik. Për shkak se vetëm klasa politike shqiptare mund ta dijë, qysh prej masakrës së Drenicës, kanë formuluar vetëm deklarime demagogjike dhe pa asnjë nerv kombëtar, thua se lufta në Kosovë  nuk po drejtohet kundër shqiptarëve, por ndaj ndonjë fisi indian diku përtej oqeanit.

 

Politikanët shqiptarë pas rreth shtatë ditësh, kur mund të grumbullonin njerëz në sheshe, me iniciativën e opozitës, menduan se lanë borxhin ndaj çështjes së Kosovës, duke iu rikthyer përsëri  çështjes së çmimeve të vajit dhe makaronave, dhe një lufte makabre për karrige. PD me këtë rast zbatoi me korrektesë porosinë e Nanos që asnjë forcë politike të mos përdorte çështjen kombëtare për reputacion politik.  Duke hequr dorë Partia Demokratike dhe Berisha nga çështja e  pavarësinë së Kosovës, kur PS dhe Nano nuk kanë ndërmend  për t’ju kushtuar ndonjëherë,  në fakt lufta për bashkim kombëtar ka vdekur. Shqiptarëve të  Shqipërisë tani I bie të dëgjojnë  prej mëngjesi në darkë një tjetër meritë të tyre, atë vetëpërmbajtjes dhe moderacionit.

Deklarata këto që shumica e evropianëve i thonë me ironi dhe tallje  për këta njerëz që akoma   nuk e kanë kuptuar se çdo më thënë komb.

Unë personalisht nuk dua të jem prej atyre meritomëdhenjve të pozitës dhe  opozitës që pajtohen me moderacionin në kurriz të çështjeve shqiptare. Mendimi im është se vetëm tani është të koha për bashkim kombëtar, për t’iu mos qarë edhe më tej historisë për fat të keq, apo që ka punuar kundër nesh. Fati si gjithmonë ndihmon vetëm guximtarët, duke qenë gjithmonë me më të fortin. Prandaj dhe vërejtjet e mia vijnë prej porosisë se është më mirë të zihesh me vëllain se sa t’i bësh shoqëri armikut. Me shpresë se ata do të reflektojnë në qendrimet e tyre të mëtejshme, ose t’i hapin rrugë një tjetër klase politike më të ndërgjegjshme ndaj çështjeve kombëtare.

 

Nano: Kosova nuk do t’i bashkohet kurrë Shqipërisë

 

Testin e Kosovës, Fatos Nano e ka kaluar pa ndonjë stërmundim të madh Ai është njeri që nuk është  fshehur kurrë pas frazave nacionaliste dhe në këtë aspekt nuk i është dashur të sforcohet për t’u dukur dikush tjetër. Pra ai që nuk është me të vërtetë, një politikan që nuk i intereson aspak pavarësia e Kosovës, që shikon atë si një çështje të historisë së Ballkanit, prej nga flet për evropianizm dhe demokratizim të  rajonit. Ai nuk e parasheh kurrë mundësinë e bashkimit kombëtar, prandaj  edhe flet për një zgjedhje të çështjes së Kosovës brenda ish-Jugosllavisë, duke pritur të mund të përfitojë nga Europa kredi për të zgjatur pushtetin e tij personal në gjysmën e shtetit shqiptar. Ai kështu vepron si të gjithë paraardhësit e tij. Nano duke mos patur asnjë angazhim as moral dhe as politik për Kosovën,  e ka shpallur çështjen e saj, siç edhe e përkufizon propaganda zyrtare serbe dhe greke. Si një çështje minoriteti, pakice kombëtare etj., që i meritojnë disa të drejta humanitare si edhe grekët apo edhe një grusht serbësh në Shqipëri.

Nano, kërkesat e presidenti Rugova për për pavarësinë e  Kosovës, i ka quajtur  si kërkesa terroristësh, si burim konflikti në rajon etj., prej të cilave duhet distancuar.

Siç vërejnë analistët, Nano nëpërmjet këtyre deklarimeve u ka qendruar korrekt premtimeve të  bëra grekëve dhe serbëve për të mos kërkuar pavarësinë e Kosovës.

Interesant është fakti se si PS dhe PD bashkohen në një pikë. Larg duart nga pavarësia e Kosovës.

Nano siç thamë më lart e shikon krizën e Kosovës si një burim të mbajtjes së pushtetit, ndërsa Berisha si një shkak për të rimarrë pushtetin. Në fakt që të dy janë të gabuar, për të shkak se nuk janë më të gabuar shqiptarët të cilët nuk do të tolerojnë më tej asnjë lojë në kurriz të çështjes kombëtare. Ata tashëm njohin edhe të shiturit edhe demagogët tek të dyja partitë. Po kaq mirë njohin edhe aletatët euroatlantik të shqiptarëve . Ata që nuk  duan kombin e tyre, nuk i don askush.

 

 

 

Berishës mbron parimet e Helsinkit

 

 

Ndaj zotit Sali Berisha vërejtjet më të mëdha bëhen përse  ai nuk kërkoi pavarësinë e Kosovës? Përse ai mban një qendrim të përafërt me atë nderkombëtar, përsa i përket kësaj çështje?

Kryetari i opozitës shqiptare sot flet në lidhje me të ardhmen e Kosovës për një status politik brenda federatës ish-Jugosllave.

Ai kishte folur 5 vjet si kryetar shteti “për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njerëzore e kombëtare të shqiptarëve në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni”, si dhe për ndërkombëtarizim të çështjes së Kosovës.

Ai kishte folur për zgjerim të hapësirave demokratike të shqiptarëve kudo që të jetojnë në trojet e tyre në Ballkan, por edhe për heqjen dorë nga kërkesat e tyre maksimaliste,  të Prishtinës dhe të Beogradit. Që në shqip d.m.th heqje dorë nga pavarësia.

Berisha i cili pati ardhur në pushtet me mesazhe demokratike dhe kombëtare, sot duhet të thënë se  në lidhje me ta parat ai e  ka meritën e madhe të vendosjes së themelit demokratik shqiptar, ndërsa në lidhje me mesazhet nacionaliste, patriotike, nuk bëri atë që ne besonim dhe të prisnim prej tij.

Në fakt, qysh kur nga programi minimal i PD-së së dhjetorit 1990, çështja kombëtare qe reduktuar për t’iu përshtatur frymës ndërkombëtare,  përkatësisht  më 1991, unë qeshë  bindur se PD pati anashkaluar çështjen kombëtare.

Kjo çështje ngjan e anashkaluar edhe tani më 1998.

Sot, Berisha si kryetar i PD-së në lidhje me statusin e ardhshëm politik të Kosovës flet i nisur nga respektimi i parimeve të Helsinkit, për dëgjimin e faktorit ndërkombëtar, për mosndryshim të kufijve me dhunë etj. Në fakt, të dyja këto qendrime në lidhje me Kosovën nuk qëndrojnë,  për shkak se Helsinki ka shpallur të pacënueshëm kufijtë, por nga ana tjetër ka njohur parimin e vetvendosjes së popujve. Në këtë mënyrë unë do ta ftoja z. Berisha që të mbronte parimin e vetvendosjes. Parimin i vetvendosjes  është në favor të shqiptarëve, ndërsa raporti i mosndryshimit të kufijve dhe mbetjes në federatë është në favor të serbëve.

Berisha sido që nuk ka formuluar kërkesa të qarta për pavarësinë e Kosovës, ka dënuar spastrimet etnike dhe dhunën serbe në Kosovë. Ai ka deklaruar se nuk duhet lejuar ndarja e Kosovës, me shpresë që dikush që do të vijë pas nesh do të bëjë realitetin ëndrrën e bashkimit kombëtar që ai e parasheh të pamundur tani. Në fakt ata që e parashohin si të mundshëm bashkimin kombëtar qysh tani janë të gjallë dhe të përgatitur për t’i paraprirë këtij procesi, ata janë prezent  edhe në PD. Berishës i mbetet që të bashkohet me këtë brez të ri politikanësh, t’i mbështesë, ose t’u hap rrugë atyre.

 

 

 

Rugova, Alia dhe të tjerë

 

Ndërsa Nano dhe Berisha kërkojnë një status politik të Kosovës, brenda federatës ish-Jugosllave, bie në sy insistimi i Nanos që Kosova të mos ketë të drejtë shkëputje në jetë të jetëve, plaku Alia kërkon Pavarësinë e Kosovës.

Intervistat e ish-Presidentit komunist,  dhënë te “KJ” më 24 mars ka befasuar shqiptarët, për ata që kishin harruar ai përseriti mendimin e tij të shprehur në OKB më 1990. Atëbotë ai pati kërkuar që shqiptarëve në ish-Jugosllavi të mos u takonte as më shumë e as më pak se sa popujve të tjerë që e përbënin federatën. Në rast se ata do të vendosin të dilnin nga federata, kjo e drejtë pati këmbëngulur ai, duhet t’u përkiste edhe shqiptarëve.

Tani në rrethanat e reja  ballkanike, thotë Alia, unë kërkoj për Kosovën Pavarësi me statusin e një shteti modern dhe të pavarur.

Në fakt ish-presidenti Alia tregoi se është një patriot, dhe se nuk kishte bërë kompromis me çështjen kombëtare. Ai u bëri sfidën më të madhe politike të tjerë, sepse i tregoi popullit të vet se çfarë duhet të bënte në këtë moment, të luftonte për çlirimin e gjysmës së kombit të pushtuar, të bashkonte kombin.

Më ka çuditur fakt se si shtypi dhe media në tërsi i kushtoi më shumë vëmendje një shkrimi të Dritëroit që merrej jo me çështjen kombëtare, por me mjekrën e Nanos, se sa një deklaratë të pastër për pavarësinë e Kosovës.

Deklaratë që nuk ka qenë e vetme në politikën shqiptare. Ajo u pasua menjëherë nga deklarata e zotit Meidani, i cili kërkoi të drejtën e vetëvendosjes për dy milion sh-qiptarët e Kosovës. Ndërkohë që Baleta ka qenë konseguent  në tezat e tij për bashkim kombëtar dhe rrezikun e influences greko-serbe për të pastruar politikën shqiptare nga një njerëz që kanë mendime të tilla.

 

I habitshëm mbetet qëndrimi i Rexhep Qoses, i cili ka mbyllur gojën. Ai nuk është ndjerë kurrë gjatë gjithë kësaj kohe që Serbia po kryen masakra në Kosovë. I vetmi  që  i  ka qëndruar besnik  vullnetit politik të  shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi është zoti Ibrahim Rugova. Ai duke mos pranuar asnjë kompromis me të ardhmen e Kosovës dhe bashkimin e kombit shqiptar, hyri  në histori me përmasat e njerëzve të kalibrit të Gandit.

 

Përfundim

 

Duke marrë në shqyrtim qoftë deklaratat e pozitës, qoftë deklaratat e opozitës, del si konkluzion se politikanët shqiptarë nuk e duan pavarësinë e Kosovës, përndryshe bashkim kombëtar. Kjo tregon se ata nuk duan që të humbin karriget për vete, për të fituar kombi shqiptar.

Për shkakun e thjeshtë se një komb i bashkuar prej shtatë milionësh, nuk do të lejonte kurrë që ta udhëhiqnin karrieristët, makutët, filoserbët, filogrekët, korrupsionistët apo të paaftit, siç ndodh rëndom në politikën e sotme shqiptare. Njërëz që me luftën e tyre për pushtet po e çojnë këtë popull drejt shkatrrimit përfundimtar.

Unë i shkrova këto radhë me synimin e qartë që të mos i bëjë shoqëri armikut, por edhe me shpresë që politikanët shqiptarë, veçanërisht ata të PD-së,  të reflektojnë ndaj çështjes kombëtare, duke mos i keqkuptuar aspak ndjenjat e mia patriotike dhe krejt të sinqerta.

Çdo rikthimi i mundshëm i PD-së në pushtet, duke bërë kompromis me çështjen kombëtare, do të ishte i padrejtë, sado që vendi ndodhet në një terror  të egër komunist.

Çështja e Kosovës brenda pak ditësh testoi politikanët shqiptarë.  Në fakt, kjo politikanë që u testuan si të paaftë për të tetë vjet për të ndërtuar një jetë të sigurt dhe në mirëqënie për gjysëm shtetin shqiptar, dolën  edhe më të paaftë për të mbrojtur qofte edhe me fjalë, çështjen kombëtare shqiptare, domethënë   pavarësinë  e  Kosovës. Atëherë kujt i duhet kjo klasë politike shqiptare. Unë mendoj se i vetmi nder që mund të bëjnë këtij popull do të ishte largimi vullnetarë i tyre nga skena politike, për t’u hapur rrugëve  atyre politikanëve që e duan  atdheun, poullin dhe kombin e vet, pa kushte dhe pa asnjë shpërblim.

 

Shënim

 

Artikulli me titull “Çështja e Kosovës, teston politikanët shqiptarë” është botuar nga Mujë Buçpapaj në gazetën “Rilindja Demokratike” (RD), organ zyrtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, më datë 12 prill 1998, pak muaj pasi kishte filluar Lufta e Kosovës.

Në periudhën e botimit të këtij shkrimi, M. Buçpapaj ushtronte detyrën e gazetarit politik pranë gazetës Rilindja Demokratike. Paralelisht, ai ishte anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, si dhe anëtar i kryesisë së degës së Partisë Demokratike të Tiranës.

Mujë Buçpapaj  është ndër pjesëmarrësit aktivë të Lëvizjes Studentore Antikomuniste të Dhjetorit 1990, në kohën kur ishte student pasuniversitar. Ai është ndër bashkëthemeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë (dhjetor 1990) dhe i gazetës Rilindja Demokratike (janar 1991). Në muajin shkurt të vitit 1992, themeloi dhe drejtoi si kryeredaktor gazetën Tribuna Demokratike, e cila ishte organ i degës së PD-së Tiranë, gazetë e cila kontribuoi fuqishëm për fitoren e PD në zgjedhjet që u mbajtën më 22 mars 1992.

Në aspektin e formimit intelektual dhe të veprimtarisë publike, M. Buçpapaj është njohës dhe studiues i çështjeve gjeopolitike dhe kombëtare shqiptare në hapësirën ballkanike dhe i maredhenieve shqiptaro-amerikane. Që prej vitit 1991, ai ka zhvilluar një veprimtari të gjerë publicistike, analitike dhe studimore, duke trajtuar në mënyrë të vazhdueshme çështjen e Kosovës dhe perspektivën e bashkimit kombëtar shqiptar.

Gjatë viteve të luftës në Kosovë (1998–1999), M. Buçpapaj është angazhuar në organizimin e protestave dhe tubimeve intelektuale e qytetare në mbështetje të Luftës Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe të rezistencës së armatosur të popullsisë shqiptare në Kosovë. Në të njëjtën periudhë, ai botoi edhe dy vepra me karakter politik dhe kombëtar:Partitë politike dhe çështja kombëtare dhe Kombi i tradhtuar.

Aktualisht, Mujë Buçpapaj mban titullin Doktor i Shkencave Letrare. Ai është studiues dhe poet me njohje ndërkombëtare, veprat e të cilit janë përkthyer dhe botuar në dhjetra gjuhë të huaja. Në fushën e mediave dhe të studimeve kulturore, Buçpapaj drejton gazetën javore letrare e kulturore “Nacional”, Botimet Nacional, si dhe Institutin e Studimeve Nacionale në Tiranë. Autori është  përfshirë, pandërprerë në zhvillimet akademike, politike, demokratike dhe kombëtare.

 

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top