Asnjë befasi, edhe pse në fakt i shkoi afër në pjesën e parë. Dinamo mposht Vorën dhe vihet në ndjekje të kreut. Në ndeshjen e vlefshme për javën e 8-të të Superiores, Skuadra e Ilir Dajës imponohet 0-2 në stadiumin “Arena e Demave”. Vila në fundin e pjesës së parë dhe penalltia e kontestuar, e shndërruar në gol nga Bregu, dënuan formacionin e Bellait.
Dinamo vuajti intensitetin e Vorës në pjesën e parë, por Karrica e Bardhi nuk bënë dot keq, me Teqjen të vëmendjshëm. E atëherë skuadra e Ilir Dajës, u kthye të kontrollonte lojën dhe në shtesën e lojës mori edhe avantazhin. Lorenco Vila mposhti Harizajn, duke lehtësuar kryeqytetasit, që tashmë kishin mundësinë të riniseshin, me hapësirat e krijuara.
Lexo më tej: Dinamo fiton derbin me Tiranën, por Teqja shpëton Dajën: Bordin i fundit
Vora e rriti lojën, ndërsa Dinamo pati një ritëm më të ultë në pjesën e dytë. Bellai provoi të shkundte të tijtë, që provuan pa shumë sukses të kundërpërgjigjeshin. Kryeqytetasit, në anën tjetër, pritën momentin e tyre, që erdhi me një 11 metërsh të akorduar në minutën e 75’: Guindo hyri në zonë nga e djathta, Repaj e shtyu dhe e rrëzoi në zonë. Penalltia e shndërruar në gol nga Bregu i vendosi vulën ndeshjes duke i dhënë Dinamos tre pikë që vazhdojnë ecurinë e mirë të skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja.
Polemika, me vorakët që prentenduan një penallti në pjesën e parë, por u penalizuan me vendimin kundër në të dytën. Me këtë fitore, Dinamo shkon provizorisht në vendin e dytë të renditjes me 14 pikë. Në krahun tjetër, me 10 pikë pas 8 javësh kampionat, Vora mban momentalisht vendin e 6-të në renditje.