Real Madrid mposht 1-0 Juventus në raundin e tretë të League Phase të Champions. Në Bernabeu, vendos goli në minutën e 57′ nga Bellingham, që depoziton në rrjetë pas shtyllës së goditur nga Vinicius. Tudor, Akoma pa fitore këtë vit në Europë, kafshon duart për rastet e humbura nga Vlahovic e Openda, por Di Gregorio shpëtoi portën disa herë ndaj Mbappé e Arda Güler. Triumfe të zhurmshëm nga anglezët: Liverpool dërrmoi Eintracht 1-5 në Frankfurt, ndërsa me të njëjtin rezultat Chelsea u imponua ndaj Ajax. Poker i Bayern që vazhdon të sheshojë kundërshtarët që i dalin para.
REAL MADRID 1-0 JUVENTUS
Humbje e dytë radhazi për Juventusin, që pas disfatës në Como bie edhe në Madrid kundër Realit. Ndeshja përfundon 1-0 me gol të Bellingham, shumë i zoti të besojë në topin e kthyer pas shtyllës së goditur me të majtën diagonalisht nga Vinicius. E megjithatë, nisja e bardhezinjve ishte e mirë, të zotët në kundërsulm dhe me një Gatti aktiv e i rrezikshëm në goditje. Më pas, megjithatë, është Di Gregorio ai që shpëton ndaj Mbappé: do ta bëjë sërish në pjesën e dytë duke ndalur fillimisht francezin e më pas një Arda Güler të papërmbajtshëm, i cili fiton bindshëm duelin mes talenteve të lindur në 2005 nga Turqia me Yildiz.
Më vonë, Tudor ndryshon të gjithë repartin e sulmit në mes të pjesës së dytë dhe janë David e Openda që ndërtojnë rastin më të madh të pjesës së dytë, por ish-lojtari i Leipzig godet drejt mbrojtjes së blancos. Futet edhe Kostic që provon, por një Courtois i vëmendshëm i grushton të gjitha dhe e mban portën të paprekur. Juventusi mbetet me 2 pikë, pa asnjë fitore dhe me humbjen e dytë radhazi pas asaj të Sinigaglias: aspekti pozitiv mbetet qëndrimi dhe fakti që skuadra qëndroi në lojë deri në fund, por rezultatet edhe një herë nuk janë në anën e Juventusit dhe të Tudor.
ATALANTA 0-0 SLAVIA PRAGA
Në ndeshjen e tretë të fazës unike të Champions League, Atalanta nuk shkon më shumë se 0-0 kundër Slavia Pragës. Në “New Balance Arena” të Bergamos, zikaltërit e Juric zhvillojnë një ndeshje plot emocione dhe raste kundër çekëve, por asnjëri nga ekipet nuk arrin ta shfrytëzojë plotësisht për të gjetur golin. Në pjesën e parë është Markovic që “mbyll portën” duke i mohuar golin Deas, me një De Ketelaere të frymëzuar që duhet të dorëzohet përballë ndërhyrjeve të shkëlqyera të portierit mysafir. Nuk mbetet pas as Carnesecchi, që disa herë ndalet për të thënë “jo” ndaj Moses. Në pjesën e dytë, Sulemana dhe Scamacca kanë rastin për t’i dhuruar tre pikët orobikëve, por çekët shpëtojnë. Një pikë që e lë të pakënaqur Atalantën, e cila mbetet në mesin e renditjes me 4 pikë.
BAYERN-BRUGES 4-0
Bayern iu deshën 34 minuta për të mbyllur llogaritë me Bruges: përfundon 4-0, por pas pak më shumë se gjysmë ore gjermanët janë tashmë në avantazh të trefishtë. Ndeshja hapet në minutën e 5-të me Karl pas asistit të Tah. Më pas protagonisti është Laimer, i cili për dy herë radhazi shërben fillimisht për Kane (14’) dhe më pas për Diaz (34’) në dy golat që vulosin ndeshjen. Belgët provojnë me zëvendësime të ndryshojnë rrjedhën e lojës dhe të përpiqen ta rihapin ndeshjen, por është Kompany që gjen “xholin” nga stoli: në minutën e 69’ futet ish-lojtari i Chelseat, Nicolas Jackson, i cili dhjetë minuta më vonë vulos rezultatin. Për shkak të diferencës së golave, Bayern është i pari bashkë me PSG, edhe pse me një gol të shënuar më pak. Bruges, në anën tjetër, pëson humbjen e dytë dhe mbetet me 3 pikë.
CHELSEA-AJAX 5-1
Chelsea arrin fitoren e dytë radhazi duke e shkatërruar Ajax-in 5-1 që në pjesën e parë. Holandezët, në “Stamford Bridge”, e prishin gjithçka që në minutën e 15-të, kur Taylor i lë “Shigjetarët” me dhjetë lojtarë, dhe menjëherë pas kësaj Guiu përfiton duke zhbllokuar ndeshjen. Në minutën e 27-të, Caicedo dyfishon pas asistit të Gittens, më pas vijnë plot tre penallti brenda 18 minutave. Të parën e realizon Weghorst për holandezët, por 2-1 është vetëm një iluzion, pasi më pas “Blutë” paraqiten dy herë nga pika e bardhë – fillimisht me Fernandez dhe pastaj me Estevao: në të dy rastet është gol, dhe në pushim rezultati është 4-1 për kampionët aktualë të Botës për klube.
Me rezultatin tashmë të siguruar, Maresca aktivizon shumë fytyra të reja: mes tyre është dhe lojtari i lindur në 2006, Tyrique George, i cili hyn në vend të Guiu dhe pas vetëm 4 minutash shënon golin e tij të parë në Champions. Fundi i ndeshjes është thjesht formalitet për Chelsea, që tani ka 6 pikë dhe ndodhet menjëherë pas më të mëdhenjve.
EINTRACHT-LIVERPOOL 1-5
Eintracht krijon iluzione, por në Frankfurt është Liverpool që shkëlqen, duke fituar 5-1. Vendasit e zhbllokojnë ndeshjen në minutën e 26-të me Kristensen, por “Reds”, të detyruar të bëjnë një zëvendësim të hershëm për shkak të dëmtimit të Frimpong, gjejnë tre gola për 10 minuta: Ekitiké barazon, van Dijk përmbys dhe më pas partneri i tij i mbrojtjes, Konaté, pas asistit të Szoboszlai, i dhuron skuadrës së Slot avantazhin 3-1 në pushim. Në pjesën e dytë, brenda katër minutash, fillimisht Gakpo e më pas vetë hungarezi, të dy pas asisteve të një Wirtz fantastik, e bëjnë fitoren e anglezëve edhe më të thellë. Tani, fituesit e Premier League të kaluar janë në kuotën e 6 pikëve, bashkë – ndër të tjera – me Chelsea dhe Barcelonën. Eintracht, pas fitores 5-1 ndaj Galatasaray, tani ka regjistruar vetëm humbje.
SPORTING-MARSEILLE 2-1
Sportingu përmbys dhe fiton 2-1 ndaj një Marseille që nis mirë, por e shkatërron vetë veten. OM e gjen golin në minutën e 14-të me Paixao, që shfrytëzon asistin e Aubameyang dhe kalon francezët në epërsi. Më pas, vijnë dy gabime të pafalshme nga Emerson. Fillimisht ndëshkohet me të verdhë për prekje me dorë, pastaj simulon: gjyqtari slloven Obrenovic akordon penallti, por më pas thirret nga VAR-i dhe jo vetëm e anulon penalltinë, por i lë miqtë me dhjetë lojtarë. Portugezët përfitojnë vetëm në minutën e 69-të dhe falë zëvendësimeve: Catamo hyn dhe pas pesë minutash barazon, më pas në minutën e 80-të Alisson Santos zë vendin e Fresneda-s dhe e vendos ndeshjen në të 86-ën. Portugezët ngjiten në 6 pikë, duke lënë pas De Zerbin që mbetet në 3.
MONACO-TOTTENHAM 0-0
Përveç Atalanta-Slavia Praga, edhe Monaco-Tottenham përfundon pa gola në këtë raund të Champions, por me meritë më të madhe për vendasit. Megjithatë, janë fituesit në fuqi të Europa League që krijojnë të parët rrezik me Van de Ven, goditja me kokë e të cilit shkon mbi traversë, më pas Vicario shpëton dy herë ndaj Balogun. Në pjesën e dytë, ish-portieri i Empolit duhet të ndalojë edhe përpjekjet e Akliouche dhe Golovin, ndërsa Kehrer nuk arrin ta godasë portën. Në fund, provojnë edhe Teze e Minamino, por në rastin e parë shpëton sërish Vicario, ndërsa në të dytin ish-lojtari i Liverpool nuk e gjen portën në dy raste të pastra. Përfundon 0-0 dhe është një pikë e artë për Tottenhamin, që mbetet i pamposhtur dhe i vetmi ekip me 5 pikë. Monaco, në anën tjetër, mbetet me 2 pikë dhe ende pa fitore.
GALATASARAY-BODØ/GLIMT 3-1
Victor Osimhen është protagonist absolut i fitores 3-1 me të cilën Galatasaray mposht Bodø/Glimt në Champions. Aksioni i avantazhit vjen që në minutën e 3-të, i realizuar tërësisht nga ish-lojtarë të Serie A: Lemina pason nga kufiri i zonës për ish-sulmuesin e Napolit, i cili me të djathtën dhe me prekje të parë nuk gabon. Dyfishimi vjen në minutën e 33-të pas një gabimi të norvegjezëve në dalje: i lehtë për nigerianin ta dërgojë topin në rrjetë për 2-0.
Goli i tretë mbërrin në fillim të orës së lojës dhe mban firmën e Akgun, i cili del pak para golit të Helmersen që bën vetëm më pak të pasigurt fundin e ndeshjes. Rezultati, megjithatë, nuk ndryshon: përfundon 3-1 dhe Galatasaray ngjitet në kuotën e 6 pikëve, duke arritur fitoren e dytë pas humbjes ndaj Eintrachtit. Humbja e parë për Bodø-n, që mbetet me 2 pikë pas barazimeve 2-2 kundër Slavia Pragës dhe Tottenham.
ATHLETIC BILBAO-QARABAG 3-1
Fitore me përmbysje për Athletic Bilbao në Champions, që pas më pak se një minute pëson gol nga Qarabag, por më pas përmbys gjithçka dhe fiton 3-1. Situata duket se përkeqësohet drejt fundit të pjesës së parë me dëmtimin e Inaki Williams, i zëvendësuar nga Berenguer. Pak më vonë, megjithatë, Guruzeta barazon pas asistit të Jauregizar dhe në pushim është 1-1. Valverde bën tre zëvendësime në mes të pjesës së dytë dhe “xholi” vjen pikërisht nga stoli: Navarro hyn në minutën e 65-të dhe pesë minuta më pas shënon golin që kalon baskët në avantazh. Sfida mbetet e hapur deri në minutën e 88-të, kur Guruzeta shënon dopietën dhe mbyllet kështu 3-1. Fitorja e parë, pas dy humbjeve, për Athleticun; humbja e parë për Qarabagun që nuk arrin të mbetet në krye.
Champions League
Athletic Club 3-1 Qarabag FK
Galatasaray 3-1 Bodoe/Glimt
AS Monaco 0-0 Tottenham Hotspur
Atalanta 0-0 Slavia Prague
Bayern Munich 4-0 Club Brugge
Chelsea 5-1 Ajax
Eintracht Frankfurt 1-5 Liverpool
Real Madrid 1-0 Juventus
Sporting CP 2-1 Marseille