Shërbimet digjitale të qeverisë, nëpërmjet zërit buxhetor “e-qeverisja”, janë duke u rritur me shpejtësi në krahasim me funksionet e tjera. Në ndryshimet e fundit buxhetore, buxheti për e-qeverisjen arriti në mbi 20.1 miliardë lekë, më shumë se 200 milionë euro. Shpenzimet për këtë zë pësuan rritje me 15% në krahasim me ndryshimet e qershorit, ndërsa në krahasim me buxhetin fillestar, fondet për e-qeverisjen u rritën me 60%.
Ky trend reflekton zgjerimin e shërbimeve publike online dhe adoptimin në rritje të teknologjive digjitale nga qytetarët dhe bizneset, si pjesë e procesit të digjitalizimit të administratës publike. Rritja lidhet edhe me shtimin e shërbimeve të reja në portalin qeveritar apo me përmirësimin e aksesit dhe efikasitetit të platformës.
Qeveria shqiptare hyri në histori pasi për herë të parë emëroi ministre një chatbot të inteligjencës artificiale të quajtur “Diella”.
Megjithëse Diella është në strukturën e qeverisë, ajo nuk ka fusha përgjegjësie, por zëri i shpenzimeve për e-qeverisjen, që në thelb lidhet me Diellën, po rritet me shpejtësi.
Qeveria ka kaluar edhe Europën për digjitalizimin e shërbimeve publike, por një pjesë e madhe e popullsisë pa njohuri digjitale paguan të tretë që i ndihmojnë në këto shërbime.
Kancelaritë, zyrat noteriale dhe të tjera këshillimore po përfitojnë nga ofrimi i shërbimeve të e-Albania-s për moshat e treta.
Teksa Shqipëria ka përparuar me investimet në shërbime digjitale, nga ana tjetër njohuritë digjitale të popullsisë janë ndër më të ulëtat në Europë.
Në vitin 2018, financimet për e-qeverisjen ishin 2.3 miliardë lekë. Në 7 vitet e fundit, financimi i shërbimeve publike digjitale është rritur më shumë se 8 herë.
Infrastruktura digjitale po bëhet po aq e rëndësishme dhe jetike sa infrastruktura fizike – rrugët, uji dhe energjia. Tashmë, kur shumica e shërbimeve qeveritare jepen online dhe mund të merren nga telefonat e zgjuar, qeveria nga ana tjetër po rrit shpenzimet për këto shërbime.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se nga viti 2016 në vitin 2024 janë financuar më shumë se 42 miliardë lekë, rreth 400 milionë euro për sistemet e e-Albania-s, teksa vetëm këtë vit do të financohen edhe 200 milionë euro të tjera. Financimet vjetore në infrastrukturën e e-Albania renditen të katërtat në radhë pas investimeve publike në transportin rrugor, detar dhe në ujësjellës.
Mirëpo, kur një mori shërbimesh jepen online, qytetarët mbeten të ekspozuar ndaj korrupsionit dhe mosmarrjes së shërbimit. Mungesa e ndërveprimit ndërmjet institucioneve e bën të pamundur marrjen e dokumenteve në kohë, madje shërbimet mbeten të pezulluara për muaj të tërë.
Nga ana tjetër, publiku i gjerë ka ende njohuri të kufizuara për përdorimin e këtyre shërbimeve, ndërsa transparenca mbetet problematike për shkak se produktet e infrastrukturës digjitale janë më pak të prekshme./MONITOR