Brooklyn Beckham dhe bashkëshortja e tij, aktorja Nicola Peltz, thuhet se nuk kanë aspak interes të pajtohen me familjen Beckham për momentin.
Sipas burimeve për revistën Us Weekly, djali i madh i David dhe Victoria Beckham është i fokusuar të jetojë një jetë të qetë dhe pa drama me partneren e tij.
“Ata kanë ndërtuar botën e tyre dhe janë shumë të lumtur në të,” – tha burimi. “Duan që gjithçka të qetësohet natyrshëm, pa detyruar asgjë që ende ndjehet e tensionuar.”
Më tej, burimi shtoi se marrëdhëniet mes Brooklyn dhe familjes së tij janë ende të acaruara. Thuhet se ai nuk mban kontakt me prindërit e tij, David dhe Victoria, dhe as me vëllezërit Romeo dhe Cruz. Nuk është bërë e ditur nëse ai komunikon me motrën më të vogël, Harper.
Zërat për konfliktin mes çiftit dhe familjes Beckham u përforcuan gjatë verës, kur Brooklyn dhe Nicola munguan në ditëlindjen e 50-të të David Beckham në maj. Po ashtu, u raportua për një konflikt mes Brooklyn dhe Romeo-s, për shkak të një lidhjeje të kaluar me ish-partneren e këtij të fundit, Kim Turnbull – diçka që Turnbull e mohoi publikisht.
Në korrik, burime për Page Six bënë të ditur se Brooklyn kishte ndërprerë çdo kontakt me familjen dhe nuk u përgjigjej mesazheve apo thirrjeve të tyre.
Gjithashtu, në gusht, çifti rinovoi betimet martesore në një ceremoni private, ku asnjë nga anëtarët e familjes Beckham nuk ishte i ftuar.
Raportet e mëparshme kanë treguar se marrëdhënia mes Nicola Peltz dhe vjehrrës së saj, Victoria Beckham, ka qenë e tensionuar që nga dasma e çiftit në 2022. Thuhet se Victoria ka ndërhyrë në momentin e parë vallëzues të çiftit, çka çoi Nicola-n në lot. Nga ana e saj, një burim pranë Victorias ka deklaruar se ajo “nuk e kupton si mund ta ketë lënduar Nicola-n”.
Megjithatë, në dokumentarin e saj të fundit në Netflix, Victoria bëri një përmendje pozitive për Brooklyn, ndërsa një pjesë e shkurtër e dokumentarit përfshinte edhe Brooklyn dhe Nicola-n – pavarësisht përçarjes familjare.