Blac Chyna, e njohur tani si Angela White, ka lënë të kuptohet për një mundësi pajtimi me ish-të fejuarin e saj Rob Kardashian, të cilin e përshkroi si “personin e saj” gjatë një paraqitjeje në Los Angeles Women’s Expo të shtunën.
37-vjeçarja, e cila ka një vajzë 8-vjeçare me Rob-in, u shpreh se do të preferonte të kishte më shumë fëmijë me të, sesa me reperin Tyga – ish-partnerin me të cilin ka një djalë 13-vjeçar, King Cairo.
E pyetur drejtpërdrejt nëse është rikthyer me yllin e “Keeping Up With the Kardashians”, Chyna qeshi, bëri një pauzë dhe tha se të dy janë “në proces shërimi” dhe “komunikimi”.
“Po e lëmë gjithçka në rrjedhën e vet,” shtoi ajo. “Nëse është vullneti i Zotit, ndoshta do të bëhet diçka.”
Gjatë intervistës, ish-modelja u shfaq mjaft e emocionuar, ndërsa e përshkroi Rob-in si “shumë të lezetshëm”.
“Ai është personi im. Jam e emocionuar. Vetëm duhet të punoj me veten time, dhe ai me veten e tij,” u shpreh Chyna.
Kohët e fundit, ajo ndezi zërat për një ribashkim, pasi publikoi në Instagram disa foto me përshkrimin: “Kjo dashuri është përgjithmonë”, duke e etiketuar Rob-in, i cili e pëlqeu postimin. Megjithatë, burime për Page Six këmbëngulën se çifti nuk është bashkë.
Çifti u fejua në vitin 2016, por u ndanë vetëm një vit më vonë mes dramash publike dhe gjyqesh për kujdestarinë e vajzës së tyre Dream. Sot, marrëdhënia e tyre si bashkëprindër duket të jetë më e mirë se kurrë. Në një intervistë për People në gusht, Angela deklaroi:
“Bashkëprindërimi me Rob-in është 100% i mrekullueshëm. Për të gjithë prindërit që po kalojnë një situatë të ngjashme, ju premtoj se gjërat përmirësohen.”
Ajo shtoi: “Nëse jeni në një betejë për kujdestari, gjëja më e rëndësishme është që secili prind të fokusohet te vetja.”