Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar sot listën me 4 kandidatë për kreun e ri të SPAK-ut. Kryetari i komisionit të zhvillimi të karrierës në KLP, Sokol Stojani u shpreh se të gjithë kandidatët i plotësojnë kushtet për të qenë garues të SPAK.
“Janë 4 kandidatë në garë, të jenë prokurorë të SPAK, të mos jenë drejtues, të kenë paraqitur platformë dhe të mos kenë masë disiplinore. Të katër kandidatët i plotësojnë kushtet për të garuar për të qenë në krye të SPAK: Adnan Xholi, Doloreza Musabelli, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho,” tha Stojani.
Në mbledhjen e sotme miratimi është bërë me 10 vota pro, pasi në mbledhje mungonte Zeqir Hodaj. Hodaj u largua me argumentin e konfliktit të interesit sepse i biri është emëruar në BKH, nga një prej kandidatëve Klodian Braho.
“Unë nuk gjendem në kushtet e heqjes dorë nga kjo situatë, unë kërkojë t’i jepet kohë edhe Këshillit edhe vetes për të marrë një vendim në lidhje me këtë situatë. Unë vlerësoj që duhet të largohem nga zhvillimi i seancës për këtë çështje. Edhe pse çështje formale duhet të largohem nga votimi për të marrë kohën e duhur për një proces të rregull ligjorë”, tha Hodaj.
Kreut të SPAK, Altin Dumanin i mbaron mandati 3-vjeçar në muajin dhjetor të këtij viti. Ndërsa drejtuesi i ri do të qëndrojë në krye të SPAK deri në dhjetor të 2028-ës.