Luftë e fortë sportive dhe befasi në dy ndeshjet që mbyllën javën e 7 të Superiores. Partizani godet në Vlorë në debutimin e teknikut Oltion Kërnaja, duke mposhtur 0-1 Flamurtarin. Vendosi një autogol i Trashit, më pas i zëvendësuar. Vora, në anën tjetër, përmbysi Elbasanin 1-2, me golat e Dakës e Karricës.
Autogoli nderon Kërnajën në debutim – Flamurtari mbetet pa fitore
Partizani ka marrë një fitore të vlefshme në transfertën e Vlorës, duke mposhtur Flamurtarin me rezultatin minimal 0-1. Ndeshja u vendos nga një autogol i mbrojtësit Lorenc Trashi në minutën e 62′, duke i dhuruar tri pikë “Demave të Kuq”.
Takimi shënoi debutimin me sukses të trajnerit Oltijon Kërnaja në stolin e Partizanit, i cili e nisi mbarë aventurën e tij me të kuqtë. Në krahun tjetër, tekniku i sapoemëruar i Flamurtarit, italiani Francesco Moriero, e nisi me humbje dhe pa arritur të ndryshojë fatin e skuadrës së tij.
Flamurtari mbetet skuadra e vetme që nuk ka shënuar ende asnjë fitore këtë sezon në Kategorinë Superiore, duke regjistruar tashmë pesë humbje në kampionat dhe duke u ngjitur në krye të listës së skuadrave në krizë. Ndërpret ndërkohë serinë e pesë ndeshjeve pa fitore Partizani, që merr frymë para përplasjes me Egnatian.
Vora përmbys Elbasanin në “Elbasan Arena”, tensione mes tifozëve pas ndeshjes
Një tjetër surprizë e kësaj jave në Superiore erdhi nga “Elbasan Arena”, ku Vora arriti një përmbysje të madhe përballë vendasve të AF Elbasanit, duke fituar me rezultatin 1-2.
Kristi Qose kaloi Elbasanin në epërsi në minutën e 55-të, por vorakët reaguan shpejt, duke realizuar dy gola me Dakën dhe Karricën, që përmbysën gjithçka në favor të miqve.
Pas kësaj fitoreje, Vora ngjitet në kuotën e 10 pikëve dhe renditet në vendin e gjashtë, ndërsa Elbasani mbetet në vendin e katërt me 11 pikë.
Ndeshja u mbyll mes tensioneve në tribunë. Tifozët vendas, të pakënaqur nga humbja, kaluan kordonët e sigurisë dhe tentuan përleshje me tifozët e Vorës. Ndërhyrja e policisë bëri që situata të vihej nën kontroll, pa pasoja serioze.