Al Pacino: “Diane Keaton ishte dashuria e jetës sime”

Al Pacino ka shkruar një letër prekëse për partneren e tij në ekran dhe në jetën reale, Diane Keaton, pasi familja e saj njoftoi se ajo ndërroi jetë më 11 tetor si pasojë e pneumonisë, në moshën 79-vjeçare.

Pacino, 85 vjeç, u shpreh i tronditur nga humbja dhe rrëfeu se Keaton kishte pasur një ndikim të madh në jetën e tij.

“Kur dëgjova lajmin, u trondita. Isha thellësisht i pikëlluar,” shkroi aktori në një ese të publikuar nga Deadline“Diane ishte partnerja ime, shoqja ime, dikush që më solli lumturi dhe që në më shumë se një rast ndikoi në drejtimin e jetës sime.”

Dyshja ikonike luajtën bashkë në trilogjinë legjendare “The Godfather”, ku interpretuan çiftin Michael Corleone dhe Kay Adams. Jashtë ekranit, ata patën një lidhje dashurie që zgjati me ndërprerje për gati 20 vite – nga viti 1974 deri në 1990, kur Keaton i kërkoi të martoheshin, por Pacino refuzoi.

“Edhe pse kanë kaluar mbi tridhjetë vite që nuk jemi më bashkë, kujtimet mbeten të gjalla, dhe me ndarjen e saj nga jeta, ato janë rikthyer me një forcë që është njëkohësisht e dhimbshme dhe prekëse,” shkruan ai.

Aktori i njohur nga “Scent of a Woman” vlerësoi energjinë unike të Keaton dhe ndikimin e saj në botën e filmit.

“Njerëzit do ta ndjejnë mungesën e saj, por më shumë se kaq – ata do ta kujtojnë gjithmonë. Ajo la një gjurmë që nuk mund të fshihet. Ishte e papërmbajtshme, e fortë dhe mbi të gjitha – thellësisht njerëzore.”

“Do ta kujtoj gjithmonë. Ajo mund të fluturonte — dhe në zemrën time, do të fluturojë gjithmonë,” përfundoi Pacino.

Sipas burimeve pranë aktorit, pas ndarjes së tyre, Pacino shpesh ka shprehur keqardhje që nuk u martua me Diane Keaton.

“E ka pranuar se Diane ishte dashuria e jetës së tij,” tha një mik i aktorit për Daily Mail. “Për vite me radhë, ai thoshte: ‘Nëse është e shkruar të ndodhë, nuk është kurrë vonë për një shans të dytë’. Por tani, është vërtet vonë.”

Pavarësisht ndarjes, dy aktorët mbetën miq të mirë dhe e kanë mbështetur njëri-tjetrin gjatë viteve. Në vitin 2017, Pacino bëri një paraqitje të rrallë publike për të nderuar Keaton në ceremoninë e AFI Life Achievement Award.

“Ti je një artiste, Di,” i tha ai në fjalimin e tij. “Je një artiste e madhe. … Të dua, përjetësisht.”

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top