Pas pikave të para të rendit ë ditës që kaluan në votim me 73 vota të shumicës parlamentare të PS-së, seanca kaloi në votimin e radhës për dy çështjet më të nxehta politike, Komisionet e Posaçme Parlamentare për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore.
Fillimisht kryeparlamentari Niko Peleshi, njoftoi se do kalonte Reforma Zgjedhore, por opozitarët kundërshtuan në sallë, teksa ndërhyri kreu i grupit ë PS-së, Taulant Balla, i cili pyeti kolegët për dakordësinë.
Më pas ai i kërkoi Peleshit që ky rend dite të shtyhej për në seancën e radhës, më 30 tetor, derisa të arrihej dakordësia. Balla tha se e kishin gjetur dakordësinë më herët, por meqë deputetët opozitarë vijonin të kundërshtonin, ai pranoi që grupi i PS ta kalonte këtë pikë.
Gjithashtu edhe për çështjen e Reformës Territoriale, opozita u shpreh kundër. Balla mori fjalën dhe tha se do pranonin të gjitha amendamentet që kishte dorëzuar PD në Kuvend për këtë çështje dhe ishin të gatshëm ta votonin.
Por deputetët e PD-së e kundërshtuan edhe këtë pikë, teksa Balla tha se meqë ende opozita nuk ishte e qartë, të shtyhej edhe kjo pikë për në datën 30 tetor, në seancën e radhës.
Pas kalimit në votim, me 73 vota kundër dhe 37 pro të opozitës, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale u shty.