Futbolli i do historitë e tij, por ajo që ndodhi mbrëmjen e të shtunës me Rey Manajn është diçka që të lë pa fjalë. Vetëm disa muaj më parë, më 7 qershor 2025 në “Air Albania”, Shqipëria dhe Serbia u ndanë në barazim 0-0.
Në atë ndeshje, Manaj kishte mundësinë t’i jepte fitoren historike kuqezinjve nga pika e bardhë, por ai e humbi penalltinë në minutën 45+2.
Zemërimi, zhgënjimi dhe valët e kritikave që pasuan ishin të mëdha, madje shumë tifozë nuk e kursyen as ofendimet ndaj tij.
Por këtë të shtunë, historia u përsërit… në mënyrën më të pabesueshme të mundshme.
Në Leskovac, përballë të njëjtit rival, Rey Manaj shënoi pikërisht në minutën 45+2, duke vulosur fitoren më të madhe të Shqipërisë ndaj Serbisë në histori. Nga pika e dhimbjes në Tiranë, në majën e lavdisë në Serbi, një cikël që vetëm futbolli mund ta shkruajë me kaq emocion.
Kuqezinjtë megjithatë ruajtën qetësinë dhe karakterin, duke mbrojtur rezultatin deri në fund.
Në sekondat e fundit, Nedim Bajrami humbi mundësinë për të dyfishuar, por fitorja ishte e siguruar.
Me këtë triumf historik, Shqipëria konsolidon vendin e dytë në Grupin K me 11 pikë, duke lënë pas Serbinë me 7 pikë, ndërsa Anglia kryeson me 15 pikë.