Banorët palestinezë të Gazës nisën të lëvizin drejt veriut, në drejtim të qytetit të Gazës, të shtunën, një ditë pas shpalljes së armëpushimit.
Mijëra persona udhëtuan në këmbë drejt qytetit ndërsa pushimi i luftimeve vazhdoi gjatë natës, por raportet e para flasin për shkatërrim të jashtëzakonshëm në të gjithë zonën.
“Shkalla e shkatërrimit është vërtet tronditëse,” tha Olga Cherevko, zëdhënëse e Zyrës Humanitare të OKB-së, e cila vizitoi qytetin këtë javë. “Shumë njerëz po kthehen në veri dhe gjejnë vetëm rrënoja aty ku dikur kishin shtëpitë. Është një përzierje emocionesh – gëzim që janë gjallë dhe dhimbje e thellë për gjithçka që kanë humbur.”
Ndërmjetësit shpresojnë që armëpushimi, që hyri në fuqi të premten në mesditë, të çojë drejt përfundimit të luftës dyvjeçare, si faza e parë e një plani paqeje me 20 pika të prezantuar në shtator nga presidenti amerikan Donald Trump.
Të hënën, në Sharm el-Sheikh të Egjiptit do të mbahet një samit ndërkombëtar në mbështetje të planit, i drejtuar nga Trump dhe presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi. Sipas njoftimeve zyrtare, në takim do të marrin pjesë edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer.
Trump pritet gjithashtu të vizitojë parlamentin izraelit në Jeruzalem të hënën.
Kthim në rrënoja
Në Gaza, gëzimi për pushimin e luftimeve është përzier me tronditjen për shkatërrimin masiv që i pret ata që po kthehen në veri.
Qindra mijëra palestinezë ishin larguar nga Gaza City muajin e kaluar, kur Izraeli nisi ofensivën tokësore në zonë. Prej muajsh, shumë prej tyre kanë jetuar në kampe të mbipopulluara e në strehime të përkohshme.
“Jemi kthyer në qytetin tonë, por nuk ndihet si qyteti ynë,” tha Manal Muftah, 33 vjeç. “Humbëm gjithçka.”
Ajo, që para luftës punonte si furrtare, shpreson të rindërtojë biznesin nëse armëpushimi kthehet në paqe të qëndrueshme. “Ndoshta nipërit tanë do ta shohin Gazën të rindërtuar,” shtoi ajo. “Kush jeton mjaftueshëm, do ta shohë — Gazën që kujtojmë.”
Zyrtarët e emergjencës në Gaza raportuan të shtunën se 63 trupa janë gjetur në rrugët e qytetit që nga fillimi i armëpushimit, ndërsa dhjetëra të tjerë besohet të jenë ende nën rrënoja.
Drejtori i spitalit Al-Shifa, dr. Mohammad Abu Salmiya, paralajmëroi për “mungesa të rënda” në furnizime mjekësore dhe “sfida të jashtëzakonshme” me rikthimin e banorëve.
“E përfunduam një luftë dhe po hyjmë në një tjetër,” tha ai.
Krizë e thellë humanitare
Gaza ndodhet në një krizë të thellë humanitare: uria është e përhapur, infrastruktura e shkatërruar dhe shumica e dy milionë banorëve janë zhvendosur disa herë gjatë dy viteve të konfliktit.
Para luftës, territori ishte i varfër, por kufizimet izraelite mbi ushqimin dhe ndihmat humanitare e kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën.
Sipas marrëveshjes së arritur të enjten mes Izraelit dhe Hamasit, ndihmat humanitare do të shtohen.
Izraeli do t’i lejojë OKB-së të dërgojë më shumë ndihma në Gaza që nga e diela, tha një zyrtar i lartë i OKB-së. Rreth 170,000 ton ushqime, ilaçe dhe furnizime të tjera janë gati për t’u transportuar.
Kufiri në Rafah pritet të hapet për dërgimin e ndihmave. Marrëveshja e armëpushimit përfshin gjithashtu shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve, si dhe tërheqjen graduale të trupave izraelite nga disa zona të Gazës.
Megjithatë, dokumenti nuk përfshin ende çështjet më të ndjeshme të planit të Trump-it, si dorëzimi i armëve nga Hamasi.
Trump u tha gazetarëve të premten se “ka konsensus për pjesën më të madhe të planit” dhe se lirimi i pengjeve pritet të nisë të hënën.
“Ata janë në vende shumë të vështira,” tha ai. “Vetëm pak njerëz e dinë saktë se ku ndodhen.”
Jetë në rrënoja
Në Gaza City, me armëpushimin që po mbahet, shumë njerëz po kthehen për të parë çfarë ka mbetur nga shtëpitë e tyre.
“Sot nuk ndiej asgjë,” tha Maisoun Wadi, 36 vjeç, ndërsa pushonte në anë të rrugës mes disa qeseve e mbulesave. “As trishtim, as gëzim — vetëm boshësi.”
Ajo tha se ishte e tronditur nga pamja e qytetit.
“Ishte i shkatërruar që më parë, por tani është edhe më keq,” tha ajo. “Nuk kemi më shtëpi. Do ta lidh këtë copë tende në ndonjë mur që ka mbetur dhe do të var një batanije për çati.”
Për të, çështja më urgjente është mbijetesa:
“Nuk më intereson çfarë po vendosin në Egjipt,” tha ajo. “Më intereson një tendë dhe pak ujë.”
The New York Times, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL