Kapiteni i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, ka folur para ndeshjes së nesërme kundër Serbisë, duke treguar emocionet dhe synimet e skuadrës. Hysaj tha se po e përjeton shumë këtë sfidë dhe e konsideron një ndeshje të rëndësishme, jo vetëm për të, por për të gjithë ekipin.
“Emocionalisht është e njëjta gjë. Po e përjetoj shumë këtë ndeshje sepse është e vështirë dhe e bukur. Mezi pres të jem në fushë nesër,” u shpreh Hysaj. Ai shtoi se masat e sigurisë, të ngjashme me herën e kaluar, japin më shumë karikim dhe motivim për lojtarët.
Hysaj gjithashtu theksoi rëndësinë e ndeshjes dhe objektivin e skuadrës: “Kemi ardhur për fitore, as për barazim, as për humbje. Duhet të jemi të përqendruar dhe të japim 120% të mundësive tona. Është një finale si për ne, ashtu edhe për ta.”
Kapiteni shqiptar vlerësoi gjithashtu cilësitë e lojtarëve serbë, por nënvizoi se ekipi i tij ka eksperiencën dhe kualitetin për t’i përballuar: “Serbia ka lojtarë të mirë, por edhe ne kemi eksperienca dhe dimë si t’i përballojmë sulmuesit e tyre.”
Hysaj e mbylli deklaratën me mesazhin e qartë: kombëtarja shqiptare do të luftojë për fitore dhe do të japë maksimumin në këtë sfidë të rëndësishme.