Nicole Kidman, ka folur së fundmi për mënyrën se si ka mësuar të përballojë momentet e vështira të jetës.
Në një intervistë për Harper’s Bazaar, e realizuar në bashkëpunim me markën e bukurisë Clé de Peau Beauté, Kidman ndalet tek procesi i plakjes, përvoja jetësore dhe mençuria që vjen me vitet.
Intervista u publikua pas lajmit për ndarjen e saj nga bashkëshorti prej 19 vitesh, këngëtari i muzikës country, Keith Urban. Nicole, 58 vjeçe, është shprehur se ndjehet mirënjohëse për gjithçka që ka përjetuar, si në aspektin personal, ashtu edhe në atë profesional.
“Ndërsa plakem, dua të ndaj dhe të përcjell atë që kam mësuar,” u shpreh ajo.
“Kam parë shumë, kam përjetuar shumë dhe kam mbijetuar shumë. Dua të ndaj atë dituri dhe përvojë – merrni çfarë t’ju vlejë.”
Aktorja e filmit të ardhshëm Babygirl u shpreh se ndjehet me fat që ka mbijetuar si grua, si aktore dhe si producente.
“Pjesa më e mirë e plakjes janë përvojat që ke grumbulluar dhe ndërgjegjësimi që, pavarësisht gjithçkaje,do t’ia dalësh,” tha ajo.
“Sado e dhimbshme apo e vështirë të jetë një situatë, ekziston gjithmonë një rrugë përmes saj.”
Kidman theksoi se përballja me dhimbjen është e pashmangshme:
“Duhet ta ndjesh atë. Nuk mund ta mpish. Do të ndihesh sikur je i thyer, por nëse ecën ngadalë dhe butësisht — edhe nëse kërkon shumë kohë — ajo kalon.”
Nicole Kidman dhe Keith Urban kanë dy vajza së bashku dhe aktorja ka paraqitur kërkesën për divorc më 30 shtator në Nashville, duke përmendur “mospërputhshmëri të papajtueshme”.
Në një intervistë për Vogue në fund të gushtit, Kidman dukej se e parashikonte ndarjen:
“Sa herë duhet të mësojmë që mendojmë se e dimë se ku po shkon jeta… dhe pastaj ajo merr një drejtim krejt tjetër?”