Tre ditë më herët nga përvjetori i 11 i ndeshjes famëkeqe të Beogradit, Shqipëria kthehet në Serbi por këtë herë jo më në kryeqytet, por në Leskovac, në një strofull ku kombëtarja e Stojkovic ka zbritur edhe herë të tjera, me një rekord të pastër pa humbje. Një spostim taktik i lokacionit, për të shmangur turmat masive dhe paparashikueshmërinë e Beogradit, që vështirëson masat e sigurisë, tepër të rëndësishme në një ndeshje të klasifikuar me rrezikshmëri të lartë.
Jo vetëm precedenti i turpshëm që i shkaktoi Serbisë humbjen në tavolinë në 2014, por edhe situata politike në vend nën ethet e protestave të shumta, kanë bërë që në stadiumin e qytetit të vogël me 54 mijë banorë e me 20% të reduktuar nga penaliteti i FIFA-s të mbërrijnë tifozë të përzgjedhur, duke përjashtuar kështu ultrasit nga 6000 vendet në Dubocica.
Pas dy barazimeve që komplikuan renditjen, Sylvinho limitoi disi dëmet duke mbërritur në përplasjen direkte në vendin e dytë me një pikë më shumë se serbët. Çështja është se Serbia ka një ndeshje më shumë për të luajtur dhe në këtë mënyrë, kuqezinjtë kanë vetëm një rezultat për të arritur, fitoren: në të kundërt lamtumirë playoff. Një fakt që e bën formacionin e Sylvinhos të jetë në kërkim të rezultatit, në një fushë shumë të vështirë. Stojkovic ka vërtetë dy rezultate në tre në favor, por nuk ka ndërmend ta lërë fatin në duart e Andorrës apo Anglisë, që do të përplaset në nëntor me të dy skuadrat e përfshira në betejën e Leskovacit.
Një betejë në kuptimin e plotë të fjalës, ku askush nuk do të tërhiqet nga kontrastet me skuadrat që do të duan të mbyllin historinë e vendit të dytë brenda atij 90 minutëshi, për më tepër kur në Tiranë të dy u ndanë pa gola me keqardhjen e madhe të penalltisë së humbur nga Manaj. Sidoqftë, shumë apo pak tifozë, të përzgjedhur apo jo, presioni mbi kuqezinjtë do të jetë i jashtëzakonshëm, në një transfertë ku atmosfera e tensionuar do të ndihet brenda dhe jashtë fushës në Dubocica, në Leskovac, aty ku vendoset vendi i dytë.