Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, ka folur për herë të parë rreth këtij vendimi, teksa dha një deklaratë të fortë në “Top Story”, kur u shpreh se nuk do të dalë në fushatë as me Sali Berishën dhe as me drejtues të tjerë të partive opozitare.
Binaj shtoi se nuk ka folur ende me Berishën, teksa ka kërkuar që të ketë bashkëpunime vetëm me grupe pune për fushatën.
“Nuk do të dal me asnjë kryetar në fushatë as me Berishën. Nuk do të shoqërohem në fushatë, i kam kërkuar të sjellin grupe punë por me asnjë kryetar partie opozite. Edhe tek fleta e votimit do të jetë kandidat i pavarur, do e kërkojmë në KQZ këtë”, tha Binaj.
Ndërkohë në konferencën e sotme për mediat, Berisha është pyetur nga gazetarët në lidhje me këtë distancim që kërkon Binaj dhe ai e ka pranuar këtë duke shpjeguar se kjo është normale për kandidatët e pavarur.
“E përshëndes plotësisht këtë deklaratë. Ka një rrymë të cilët vërtetë nuk realizojnë dot dallimin midis kandidatit të pavarur të mbështetur nga parti politike dhe kandidatit jo partiak të propozuar nga partitë politike, ky i fundit është kandidat i partisë politike.
Kandidati që kandidon në mënyrë të pavarur dhe partitë politike vendosin të mbështesin, nëse është i pavarur nuk ka pse të bëjë asnjë fushatë me kryetarë e partive. Po kryetarët e partive do angazhohen me mundësitë e tyre për të mobilizuar elektoratin partiak për të votuar atë.
Ai nuk është kandidat i propozuar nga ne as i partive opozitare jo partiak, por i pavarur që partitë opozitare kanë vendosur ta mbështesin” u shpreh Berisha.
Në të shkuarën, Binaj nuk e ka pasur problem të shfaqet publikisht në aktivitete partiake me Edi Ramën apo duke shpërndarë supe me Erion Veliajn për të moshuarit, por po e ndan veten menjëherë nga krerët e partive opozitare, kur sapo ka marrë mbështetjen e tyre për të qenë kandidat për kryetar bashkie i Tiranës.