Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ky institucion ka bërë të ditur se sot do të vazhdojë me seancën konstituive.
Në seancën e sotme që pritet të nis në orën 10:00, në rend dite është zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb është e domosdoshme për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Po ashtu është konstatuar se votimi “në pako” për nënkryetarët e Kuvendit nuk është i imponueshëm, por mund të realizohet me dakordim ndërmjet grupeve parlamentare.
Gjykata ka bërë të ditur në vendimin e publikuar ditë më parë se Kuvendi nuk është konstituuar dhe u ka dhënë 12 ditë afat deputetëve që ta finalizojnë procesin, prej ditës së publikimit të plotë të vendimit në faqen e saj.
Aktgjykimi i plotë është publikuar më 8 tetor.