Punimet vazhdojnë. Negociatat për rinovimin dhe përshtatjen e kontratës midis Kenan Yildiz dhe Juventus po ecin me një ritëm ndoshta pak më të ngadaltë se sa pritej. Vullneti është i ndërsjellë, optimizmi nga ana bardhezi mbetet i fortë, por ende mungon marrëveshja për shifrat e kontratës së re, e cila do ta lidhë numrin 10 turk me Zonjën deri në vitin 2030, me një pagë pothuajse të trefishtë krahasuar me një milion e gjysmë eurot aktuale në vit.
Nëse pushimi i Serie A i jep mundësinë Igor Tudor tu japë “mësime përforcuese” mbrojtësve të tij (të gjithë të mbetur në Continassa), i lejon gjithashtu drejtuesve të rinj të Juventus të vazhdojnë diskutimet e nisura për zgjedhjen e drejtorit të ri sportiv (me Ottolinin favorit) dhe për kontratën e re të atij që që në verën e vitit 2024, me marrjen e fanellës me numrin 10, ishte përcaktuar si simboli i kursit të ri. Një vullnet që Juventus po përpiqet ta riafirmojë tani, duke i propozuar babait të Kenanit, Engin, dhe përfaqësuesve që merren me interesat e tij, një pagë (me bonuset e përfshira) në nivelet e 5 më të lartëve të dhomës së zhveshjes.
Në nivelet e Bremer (5 milionë neto në vit) ose Koopmeiners (4,5), menjëherë pas të paarritshmëve Vlahovic (12) dhe David (6). Megjithatë, babai i turkut, me shumë gjasë, pret ende diçka më tepër, duke parë statusin që tashmë ka arritur i biri: Yildiz, ndonëse vetëm 20 vjeç, është lideri teknik i bardhezinjve, ka zhvilluar një Botëror për klube shumë të mirë dhe po përgatitet të jetë ndër protagonistët e edicionit aktual të Champions League dhe (nëse arrihet kualifikimi) të Botërorit me Turqinë në verën e ardhshme.
Një Juve e ndërtuar rreth Yildiz
Edhe pse nuk po kalon një moment të shkëlqyer forme (nuk ka shënuar apo dhënë asist prej 4 ndeshjesh), ylli turk mbetet në shënjestrën e klubeve të mëdha europiane. Në fund të korrikut Damien Comolli refuzoi 70 milionë euro nga Chelsea, por “blutë” (që prej disa vitesh janë bërë specialistë në sigurimin e talenteve të rinj) janë gati të rikthehen në sulm. Nga Spanja, ndërkohë, vazhdojnë të qarkullojnë zëra për “idenë e çmendur” të Joan Laportës për të bashkuar me fanellën e Barcelonës dy prej supertalenteve më të mëdhenj: Yildiz dhe Lamine Yamal.
Në këtë kontekst futen edhe rezultatet e fundit të Juventus, që po kalon disa pengesa të tepërta në rrugën e kthimit drejt konkurrueshmërisë për fitore në Itali dhe në Europë. Vullneti i lojtarit dhe klubit për të vazhduar bashkë është i ndërsjellë (Kenan dëshiron të qëndrojë dhe të rinovojë, Juve dëshiron të ndërtojë një skuadër gjithnjë e më të fortë rreth tij), por “punimet” për të vazhduar këtë bashkëjetesë janë ende në zhvillim. Dhe “kantieri”, për të shmangur surpriza, duhet mbyllur shpejt.