Ish-arbitri Eriksson: “Collina na shikonte trupat lakuriq. Ndihesha i poshtëruar”

Edhe arbitrat mund t’i nënshtrohen regjimeve të forta ushqimore dhe stërvitore si futbollistët, dhe me ardhjen e Pierluigi Collina si përzgjedhës i UEFA-s, gjithçka ndryshoi. Jonas Eriksson rrëfen për herë të parë gjithë procedurën së cilës ai dhe të gjithë arbitrat e tjerë ndërkombëtarë duhej t’i nënshtroheshin për t’u shpallur të përshtatshëm për të arbitruar ndeshjet, duke kujtuar ato momente pothuajse si një makth për mënyrën se si kryheshin kontrollet periodike.

Suedezi e tregon këtë në librin e tij “House of Cards”, duke hequr perden mbi një çështje që nuk i është e njohur publikut të gjerë. Para italianit Collina, kryheshin më pak teste, por që nga periudha e tij në drejtim, të gjithë u përqendruan shumë në matjen e peshës dhe të yndyrës trupore të arbitrave: ata duhej të zhvisheshin dhe të vlerësoheshin me kujdes, edhe pse procedura i bënte të ndiheshin të poshtëruar dhe të neveritur nga mënyra si ndodhte.

Rrëfimi i Eriksson mbi testet e bëra nga Collina
Vlerësimi në fushë kalonte pothuajse në plan të dytë, sepse gjithçka sillej rreth formës fizike të arbitrave: “Kur UEFA zëvendësoi organizatën e saj të gjyqtarëve në verën e vitit 2010, Pierluigi Collina prezantoi një sërë ndryshimesh. Gjatë vitit të parë, u vu theksi në mënyrë të veçantë te fiziku, te matja e peshës dhe e yndyrës trupore, si dhe te testet e detyrueshme të shikimit. Disa arbitra rezultuan daltonikë. Një tjetër doli i verbër nga një sy dhe u detyrua të japë dorëheqjen. Kur bëhej fjalë për testet mbi peshën dhe përqindjen e yndyrës, ndieja kryesisht neveri, zemërim dhe poshtërim. Problemi nuk ishin testet, por mënyra si kryheshin ato.”

Eriksson tregon me hollësi se si zhvilloheshin këto matje që i linin të hutuar të gjithë arbitrat. Askush nuk mund të shmangej, as më të famshmit dhe më të rëndësishmit në botë: “Kur grupi im hyri në sallën e madhe e të ftohtë të konferencave ku do të mblidheshim, drejtuesit na nxitën të zhvishemi deri sa të mbeteshim vetëm me të brendshme. U pamë me njëri-tjetrin, por askush nuk reagoi apo guxoi të thoshte diçka. Collina na shikonte nga koka te këmbët me një vështrim të akullt. Hipëm në peshore një nga një. Ndjeva Collinën që u ndal, më pa dhe vështroi trupin tim pothuajse lakuriq. Mendova me vete se nuk ia vlente. Jam një i rritur dhe jam i detyruar të qëndroj këtu për t’u ekzaminuar dhe gjykuar.”

Askush nuk vinte në dyshim këtë metodë, sepse ishte e qartë se rreziku ishte të mbeteshe jashtë qarkullimit dhe të mos arbitroje më në nivel ndërkombëtar. Matjet përsëriteshin në çdo grumbullim dhe shumë gjyqtarë nisën të konkuronin mes tyre për të pasur parametrat më të mirë: “Mes disa kolegëve u krijua një histeri për peshën. Bënin gara se kush kishte përqindjen më të ulët të yndyrës dhe kush kishte humbur më shumë peshë që nga matja e fundit. Natyrisht, kjo nuk ishte as e dobishme e as e shëndetshme. U theksuan shembuj pozitivë të gjyqtarëve që kishin humbur peshë dhe kishin ulur përqindjen e yndyrës, në vend që të lavdëroheshin për vendimet e tyre në fushë apo për paraqitjet në ndeshje të vështira.”

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top