Ish-anëtarja e grupit Danity Kane, Aubrey O’Day, ka reaguar pas dënimit me katër vite burg të ish-mentorit të saj, Sean “Diddy” Combs.
Ajo u bëri thirrje artistëve të rinj që të jenë të kujdesshëm ndaj personave me pushtet në industrinë e muzikës.
“Ky vendim duhet të shërbejë si një paralajmërim për të gjithë të rinjtë që ndjekin ëndrrat e tyre,” shkroi O’Day në rrjetin X (ish-Twitter), të premten.
“Paralajmërimi i vërtetë nuk është se një juri mund të mos e besojë dëshminë tënde apo se sistemi gjyqësor mund të mos reflektojë vuajtjet që ke kaluar. Paralajmërimi është ky: në momentin që dikush në një pozitë pushteti i kalon kufijtë e tu ose kërkon më shumë se çfarë është e drejtë, largoju dhe mos u kthe më.”
Këngëtarja e hitit “Damaged”, vazhdoi më tej duke i këshilluar ndjekësit e saj që të “mbrojnë veten që në shenjat e para të detyrimit apo sjelljeve të pahijshme.”
“Asnjë ëndërr, sado e ndritur, nuk ia vlen dhimbjes dhe shfrytëzimit që mund të pasojnë nëse qëndron,” shtoi ajo.
41-vjeçarja paralajmëroi kundër atyre që “keqpërdorin pushtetin”, duke theksuar se shpesh ata përballen me shumë më pak pasoja sesa dëmi që u shkaktojnë viktimave të tyre.
“Besoni instinktin tuaj. Nëse ndiheni se diçka nuk shkon, largohuni menjëherë. Mirëqenia juaj ka më shumë rëndësi se çdo mundësi që ju ofrohet.”
Sean “Diddy” Combs u dënua të premten me më shumë se katër vite burg për dy akuza për “transport për qëllime prostitucioni”. Ai gjithashtu u gjobit me 500 mijë dollarë dhe u urdhërua të ndjekë programe për shëndetin mendor dhe trajtimin e varësisë.
Meqenëse Combs ka shërbyer tashmë një vit në burg, ai mund të lirohet për së shpejti – brenda tre viteve të ardhshme.
Gjatë procesit gjyqësor, ai u përball edhe me akuza të tjera për trafikim seksual dhe pjesëmarrje në rrjet kriminal, por u shpall i pafajshëm për këto akuza.
O’Day, e cila më parë e kishte akuzuar Diddy-n për manipulim dhe “grooming” gjatë kohës që ajo ishte pjesë e spektaklit të MTV-së “Making the Band”, u shpreh e zhgënjyer nga rezultati përfundimtar i gjyqit.
“Është e dhimbshme të shohësh sa shumë jetë janë prekur nga përvojat me Sean Combs — dhe sërish ato histori të mos merren seriozisht nga gjykata,” shkroi këngëtarja më parë në Instagram Story.