“Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të rikthyer Messi te Barca”. Premtimi është i Joan Laporta, i cili pas fitores së La Liga, ndez ëndrrën e tifozëve katalanas në kanalin Jijantes Twitch. Presidenti blaugrana zbuloi se së fundmi kishte folur personalisht me Pleshtin. “Unë fola me Leon për të zgjidhur disi situatën që ndodhi kur më duhej të vendosja institucionin para gjithçkaje, përfshirë atë, lojtarin më të mirë në botë – shpjegoi ai për ‘Els matins de TV3’ -. Ne kemi folur me mesazhe kohët e fundit. E vërteta është se biseda ishte e ngrohtë dhe e këndshme. E përgëzova për Botërorin. Ne njihemi prej shumë vitesh, ka një lidhje”.
Laporta do të bëjë gjithçka për të korrigjuar lamtumirën e stuhishme dhe të pashmangshme të verës së vitit 2021. “Etapa e Leos nuk përfundoi ashtu siç donim të gjithë. Ajo përfundoi për shkak të problemeve tona ekonomike. Ne i kemi një borxh moral. Do të donim që fundi i karrierës së tij të ishte me fanellën e Barçës dhe të duartrokitet në të gjitha fushat. Ndihem bashkëpërgjegjës për këtë finale. Mendoj se është një fund i përkohshëm, mendoj se do ta bëjmë realitet këtë aspiratë”.
BARÇA ËSHTË BARÇA
Ëndrra për të rikthyer Lionel Messi në Barcelonë mund të zhduket për shkak të vështirësive ekonomike të klubit. Rreziku kryesor megjithatë është konkurrenca nga Arabia Saudite. “Me gjithë respektin për Arabinë Saudite, e cila po bën një punë të shkëlqyer, Barça është Barça. Dhe Barça është shtëpia e tij. Barça mund të konkurrojë me këdo. Historia na mbështet dhe ndjenjat e 400 milionë ndjekësve tanë janë shumë të forta”. Më pas paralajmërimi: “Nuk mund të ofrojmë shifra të larta për të nënshkruar me të. Klubi është në masa shtrënguese – kujton Laporta -. Ne po punojmë për të ndërtuar një ekip shumë konkurrues sezonin e ardhshëm. Do të shohim nëse do ta miratojnë planin tonë”. Ndërkohë, të ëndërrosh nuk kushton asgjë…