Dalin detaje nga prapaskenat pas njoftimit të planit të Donald Trump për Gazën, por edhe pranimi i tij nga Benjamin Netanyahu. Agjencia e lajmeve Axios raporton se një pikë kyçe në këto zhvillime ishte sulmi i Izraelit në Doha të Katarit, rreth 3 javë më parë.
Edhe pse fillimisht u zemëruan nga sulmi dhe destabilizimi që mund të shkaktonte, këshilltarët e Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, shpejt e panë krizën si një mundësi për t’i dhënë fund luftës.
Sipas disa burimeve, ata vunë re se “arabët po flisnin me një zë”, edhe nëse kjo do të thoshte se duhej t’i bërtisnin Izraelit. “U bë e qartë, veçanërisht për Witkoff, se kjo thirrje për t’u mbledhur që në fillim dukej negative mund të shndërrohej në diçka pozitive” – tha burimi.
Zemërimi i madh
Çfarë i kishte paraprirë? Raporti na çon në ditën para sulmit në Doha. Në atë kohë, Witkoff dhe Kushner ishin takuar me ndihmësin e besuar të Netanyahut, Ron Dermer, në Miami për të diskutuar procesin e paqes në Gaza dhe një plan për “ditën tjetër”.
Kur dëgjuan për sulmin izraelit në Doha të nesërmen, u tërbuan, duke ndjerë se Dermer i kishte mashtruar, thanë të njëjtat burime. Ky i fundit më vonë pretendoi se nuk ishte në dijeni për sulmin deri pasi ai kishte ndodhur.
Katari u irritua edhe më shumë. Ata menjëherë pezulluan përpjekjet e ndërmjetësimit midis Izraelit dhe Hamasit dhe filluan të ushtronin presion mbi Izraelin.
Disa ditë më vonë, Witkoff i tha Dermer se mënyra më e mirë për të parandaluar përshkallëzimin do të ishte t’i kërkohej falje Katarit dhe të tregohej gatishmëri për të ecur drejt paqes në Gaza, thanë burimet. Këshilltari i Netanyahut nuk e pranoi, raporton Axios.
Dhe plani i Trump u bë realitet
Pasi morën dritën jeshile nga Trump, Witkoff dhe Kushner filluan të punonin për një plan: jo vetëm për t’i dhënë fund krizës me Katarin, por edhe për të arritur një marrëveshje më të gjerë për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Ata morën propozimin ekzistues të SHBA-së për armëpushimin dhe pengjet dhe e kombinuan atë me një plan “pas luftës” mbi të cilin Kushner kishte punuar me ish-kryeministrin britanik Tony Blair. Rezultati ishte një dokument me 21 pika.
“Sulmi në Doha ndryshoi dinamikën dhe hapi derën për një bisedë të vërtetë rreth mënyrës së përfundimit të luftës në Gaza”, pranoi një zyrtar amerikan për Axios.
Samiti në Nju Jork
Disa ditë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Katari propozoi një samit në Nju Jork midis Trump dhe udhëheqësve të 8 vendeve arabe dhe myslimane për të diskutuar sulmin izraelit ndaj Katarit dhe luftën në Gaza.
Gjatë atij takimi të martën e kaluar, udhëheqësit arabë dhe myslimanë sulmuan ashpër Izraelin. Pasi theksoi dëshirën e tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza, Trump iu drejtua Witkoff: “Steve, tregoju atyre se për çfarë po punon.”
Wittkoff i informoi pjesëmarrësit mbi planin me 21 pika, duke shktatuar reagime pozitive në sallë, thuhet në raport. Trump më pas u kërkoi udhëheqësve arabë të takoheshin me Wittkoff të nesërmen dhe të shprehnin mendimet e tyre.
Deri të mërkurën në mbrëmje, SHBA-të dhe 8 vendet kishin arritur një marrëveshje paraprake mbi tekstin. Witkoff dhe Kushner ua dërguan atë izraelitëve.
Vjen Netanyahu
Të nesërmen, Netanyahu u takua me Witkoff dhe Kushner në hotelin e tij në Nju Jork për 2 orë gjatë pasdites dhe përsëri më vonë atë mbrëmje. Në atë pikë, kishte një distancë të madhe midis SHBA-së dhe Izraelit, tha një zyrtar izraelit për Axios.
Të premten në mëngjes, Netanyahu mbajti një fjalim në OKB. Ai nuk përmendi planin e Trump.
Megjithatë, takimet midis ekipit të Trump dhe izraelitëve vazhduan gjatë gjithë fundjavës, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje përpara se Netanyahu të mbërrinte në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mëngjes për t’u takuar me Trump.
Të shtunën, në ekipin e Trump u përhap një thashethem se Netanyahu po planifikonte ta refuzonte planin ose të paktën të kërkonte ndryshime rrënjësore.
“Merre ose lëre”
Kjo e shtyu Trumpin të merrte telefonin dhe t’i jepte Netanyahut një mesazh “të fortë dhe të qartë” , sipas një burimi të informuar mbi bisedën.
“Trump i tha Bibit shumë qartë: Kjo është. Ose pranoje ose lëre. Dhe nëse e lë, kjo do të thotë se duhet të na harrosh”, tha burimi, duke shtuar se për sa i përket Netanyahut, “Donald Trump është i ngopur, për shumë arsye”.
Në total, Trump foli me Netanyahun 5 herë në telefon gjatë fundjavës, thanë burimet e cituara nga Axios. Ai i tha atij se donte një “po të qartë” për planin, jo një “po, por”.
Presidenti amerikan, pohon raporti, pranoi disa nga amendamentet e Netanyahut, por hodhi poshtë disa të tjera për çështje që janë politikisht të ndjeshme brenda koalicionit të tij të ekstremit të djathtë, thanë burimet.
Trump tha se nuk do t’i kërkonte Netanyahut të bënte kompromis për çështjet e sigurisë, por kjo nuk vlen për çështjet e brendshme të Izraelit.
“Nëse e pranoni këtë plan dhe Hamasi e refuzon, unë do t’ju jap mbështetje të plotë për të vazhduar luftën kundër tij”, thuhet se e siguroi Trump kryeministrin izraelit.
Të dielën, Witkoff dhe Kushner zhvilluan negociata që zgjatën disa orë me Netanyahun dhe Dermerin në Nju Jork.
Kërkesë faljeje për Katarin
Bisedimet përfunduan në orën 23:00, me të dyja palët që bënë përparim të konsiderueshëm në këtë çështje – përfshirë edhe kërkimfaljen që Netanyahu duhet t’i kërkonte Katarit.
“Netanyahu e dinte çfarë duhej të bënte. Ai nuk kundërshtoi. Kur e kuptoi se duhej ta bënte, e bëri”, tha një zyrtar për Axios.
Por vështirësitë nuk mbaruan këtu, vazhdon raporti. Kur teksti përfundimtar iu dërgua zyrtarëve arabë dhe myslimanë, ata u indinjuan nga sa shumë ndryshime arriti të fuste Netanyahu, veçanërisht në kushtet e tërheqjes së Izraelit nga Gaza, thanë burimet.
“Bibi i tha Trump në telefonatat e tyre gjatë fundjavës se ai nuk ka ndërmend që izraelitët thjesht të tërhiqen dhe të lejojnë Hamasin të rivendoset”, tha një zyrtar izraelit.
“Plani nuk ndryshon”
Trump u pajtua. Vendet arabe gjithashtu kishin kërkuar ndryshime në tekst, por shumë prej tyre nuk u përfshinë. Kundërshtimet ishin mjaft të forta. Katari e këshilloi ekipin e Trump që të mos e publikonte planin e detajuar të hënën. Megjithatë, Trump e bëri këtë.
Ai tha të martën se pret një përgjigje nga Hamasi brenda “tre ose katër ditëve” të ardhshme. Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë presin një përgjigje pozitive, me disa rezerva.
Pavarësisht lëshimit të një deklarate të përbashkët duke mirëpritur njoftimin e Trump, zyrtarët arabë e kanë bërë të qartë se besojnë se marrëveshja është ende në proces negociatash dhe detajet nuk janë përcaktuar ende.
Një zyrtar amerikan tha se “ndryshime” të mëtejshme specifike janë të mundshme, por Trump nuk ka ndërmend të rinegociojë të gjithë planin.
Teksa pret përgjigjen e Hamasit, përfundon Axios, presidenti amerikan po mbështetet te zyrtarët nga Katari, Egjipti dhe Turqia për të marrë një përgjigje pozitive nga Hamasi.