Partizani bie në Ballsh, Bylis e përmbys me tris: Milinkovic në vendin e tetë

Bylis konfirmohet makth dhe mposht Partizanin me shifrat 3-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e pestë të Superiores. Të kuqtë janë në rënie të lirë dhe në vështirësi të madhe. Kundër Bylis nuk shërbeu avantazhi me penallti i Isgandarli, sepse skuadra e Josës e përmbysi me golat e Malomo (dygolësh) dhe Mukhtar. Humbja e tretë radhazi për Milinkovic, që e sheh veten tani në vendin e tetë.

Sfida fillimisht u zhbllokua nga “demat”, pas 11 metërshit të akorduar për prekjen me dorë të topit nga Malomo. I saktë Isgandarli, që kaloi të kuqtë në avantazh, edhe pse ky gol shërbeu më tepër për të shkundur vendasit se për ti dhënë siguri kryeqytetasve. “Nëse sheh si ishim në fushë, e kupton nuk kishim një lider dhe na duhet një në fushë për grupin. Për fat të keq nuk e kemi një lojtar të tillë që të nxjerrë ekipin nga situata”, pranoi Milinkovic pas ndeshje.

Rikthimi i Bylis dhe Malomo protagonist
Ballshiotët nuk u dorëzuan dhe rikthyen ekuilibrin në minutën e 42’ me Malomo, që shleu kështu gabimin në rastin e penalltisë. Një gol që nxorri zbuluar problemet e Partizanit, të thelluara edhe më shumë në pjesën e dytë. “Ky është një nga momentet më të vështira të karrierës. Kam humbur shumë ndeshje në karrierë dhe nuk e kuptoj pse u ndalëm e nuk kishte reagim. Nuk mund t’i shpjegoj gabimet që bëmë në mbrojtje, dhuratat, te goli i dytë dhe i tretë sipas meje ua bëmë dhuratë. Ky nuk është justifikim. Ndaj është situatë shumë e vështirë për ne”.

Partizani u lëshua fare dhe Malomo shënoi golin e dytë pas një gabimi të Buxhelaj i cili ia dha topin “gati”. Sfida u vulos kur Muktar shënoi të tretin për vendasit dhe Partizani kapitulloi. Pas kësaj ndeshje, Bylisi ngjitet në vendin e 6-të ndërsa Partizani pozicionohet në të 8-in. “Unë shpresoj që të mos ndodhë si në vitin 2018, që Partizani të jetë të paktën në Final 4. Por pas gjithë këtyre rezultateve e di që të gjithë ata që mbështetin Partizanin dhe ne që punojmë do të jenë të zhgënjyer, si ne. Shpresojmë që gjërat të ndryshojnë për ne dhe gjërat të shkojnë shumë më mire” e mbylli komentin e tij Milinkovic.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top