Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi është një nga 3 personat e grupit të punës së bashku me Ilir Alimehmetin dhe Flamur Nokën që do të negociojë edhe me aleatët për përzgjedhjen e kandidatit të opozitës për bashkinë e Tiranës. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24 ai tha se opozita duhet të zgjedhë si kandidat, një individ që ka rekorde publike dhe sipas tij, jo partiak.
Ai tha se PD ka përcaktuar axhendën e takimeve që sipas tij, do të konsultohen me të gjithë aleatët, sipas tij, qoftë edhe parti jo-parlamentare.
“Sot është bërë njoftimi publik nga z.Berisha. Sot kemi pasur një mbledhje së bashku me z.Alimehmetin dhe Noka. Kemi përcaktuar një axhendë takimesh në javët që vjen. Fillimisht partitë parlamentare, më pas edhe me partitë jo-parlamentare pse jo edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, për aq pak shoqëri civile që ka mbetur. Sepse në pjesën dërrmuese është shuar apo kontrollohet nga maxhoranca.
Dhe më pas me të gjithë do të kemi një konsultim qoftë edhe me z.Berisha edhe me pjesën kryesore të atyre forcave politike opozitare, që kemi takuar për të arritur një emër konsesual. Unë si Belind them se ne duhet të shkojmë në një garë, ku garohet për pozicionin e dytë më të rëndësishëm politik në vend. Ne do duhet të kemi një kandidaturë politike, por jo partiake. Do të duhet të jetë një njeri politik, një njeri që të ketë rekord publik” – tha Këlliçi.
Ai konfirmoi se as Ilir Alimehmeti dhe as Jorida Tabaku nuk do të jenë kandidatë për Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, të dy kanë refuzuar kandidimin, pasi janë të angazhuar me programet e tyre përkatëse. Ai theksoi se PD do të kërkojë një emër të njohur për kandidaturën, por nuk përjashtoi mundësinë që kandidati të vijë edhe nga jashtë Partisë Demokratike.
“Ilir Alimehmetin e kam mik, por ai nuk do jetë kandidat, sepse nuk ka dashur ai vetë që të jetë kandidat. E para si kandidate që duhej propozuar për Bashkinë e Tiranës, për mendimin tim, duhet të ishte Jorida Tabaku. Por ajo ka programin e saj në Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk i vë aspak faj, sapo ka nisur mandatin dhe është krejt legjitime. E njëjta gjë ndodh edhe me Ilir Alimehmetin. Edhe ai thotë se kam programin tim. Ata janë thirrur, nuk kanë pranuar. Ne do përpiqemi të gjejmë një kandidaturë, pse jo edhe jashtë PD-së. Duhet të jetë një person i njohur” – tha Këlliçi.
Ai zbuloi se takimet me aleatët do të nisin që këtë të shtunë duke zbuluar se një nga partitë e reja me të cilët ai ka kërkuar bashkëpunim është dhe partia e Arlind Qorit, “Lëvizja Bashkë”.
“Nesër kemi 3 takime me aleatët, me 3 parti parlamentare, Mediu, Dule, Duka. Ne do të futemi me çdo forcë politike. Ne do ulemi me çdo forcë politike dhe me zotin Shehaj.
I kam shtrirë dorën e bashkëpunimit dhe partisë së Arlind Qorit Lëvizja Bashkë dhe pse ideologjikisht dhe pse kemi 180 gradë qëndrim të kundërt, por nëse kemi kundërshtarë të përbashkët. I besojnë ato që thonë dhe u qëndrojnë atyre. Nëse duam, të jemi praktikë të rrëzojmë Ramën, Hajde të bashkojmë forcat” – tha ai.