Është publikuar në fletoren zyrtare vendimi i qeverisë për shkarkimin e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Vendimi u mor nga qeveria ditën e djeshme në mbledhjen e radhës, pasi Këshilli Bashkiak votoi të mërkurën me 50 vota pro shkarkimit të tij. Tashmë Veliaj ka 15 ditë afat për ta ankimuar vendimin në Gjykatën Kushtetuese.
Nuk dihet nëse Rama do të presë të përfundojë ky afat përpara se të njoftojë Presidentin e Republikës për vakancën që ky i fundit të shpallë datën e zgjedhjeve të reja. Avokatët e Veliajt janë shprehur se do ta ankimojnë çështjen, por pas vendimit të Këshillit Bashkiak nuk kanë reaguar as ata dhe as Veliaj.
Avokatët e Veliajt kanë deklaruar se shkarkimi është i paligjshëm pasi mungesa e tij në detyrë nuk është e pajustifikuar dhe për këtë ka precedentë. Ata kërkuan që Veliaj të dëgjohej në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, siç e kërkon ligji, por edhe kjo kërkesë nuk u përmbush.