Kush nuk do të donte të luante me një shok skuadre të rëndësishëm si Lionel Messi? Nëse në botën e futbollit fraza të tilla dëgjohen shpesh, ka dikush që nuk duket se është dakord, madje e këshillon të kundërtën. Po flasim për Mateusz Klich, ish-futbollist endacak që në Amerikë, duke veshur fanellën e D.C. United dhe Atlanta United, pati mundësinë të përballej me argjentinasin.
Në vitin 2023 superylli la Francën duke u transferuar nga PSG te Inter Miami, një goditje luksi për kampionatin amerikan, i mësuar ndër vite me vizitat e legjendave të futbollit europian (si Zlatan Ibrahimovic dhe Wayne Rooney, por jo vetëm). Sipas gjasave megjithatë “Pleshti” do të dukej se është një klient i vështirë jo vetëm për kundërshtarët, por edhe për anëtarët e të njëjtit klub. Këtë e zbuloi futbollisti polak, Klich, në podcastin Food Truck.
Klich kundër Messi e Miami: “U këshilloj të gjithëve të mos shkojnë të luajnë atje”
Në kërkesën për të treguar në cilin klub amerikan do t’i këshillonte një bashkatdhetari të transferohej, Klich fillimisht hezitoi, pastaj zgjodhi dy skuadrat e New York-ut: “Red Bull kanë një stadium më të mirë, por edhe City po e ndërton nga e para. Ka pastaj klube të tjera ku është bukur të luash si Columbus Crew ose Cincinnati, të dy kanë një atmosferë të bukur, por të jetosh në ato qytete është paksa e mërzitshme”. E njëjta gjë edhe për dy skuadrat kanadeze, të konsideruara shumë “jashtë botës”. Por, nëse në zgjedhjen e skuadrës më të mirë polaku u shpreh i pavendosur duke vënë në dukje anët pozitive dhe negative të secilës, për një klub nuk pati dyshime: “Për sa kohë Messi qëndron në Miami, e këshilloj kujtdo të mos shkojë atje të luajë”.
Messi dhe i ati tepër influentë: “Vendosin gjithçka ata”
Ardhja e Lionel Messi në skuadër solli një kthesë epokale në MLS. Formacioni i Beckham siguroi trofetë e parë në historinë e tyre: Kupën e Ligës në vitin 2023 dhe Supporters’ Shield në vitin pasues. Edhe për vetë kampionatin ishte një transferim epokal, mjafton të mendosh se është gati të kalojë Zlatan Ibrahimovic për numrin e golave dhe asisteve në dy sezone radhazi. Nëse nga pikëpamja e prestigjit dhe fitoreve transferimi ishte një sukses, sipas Klich nuk mund të thuhet e njëjta gjë për klubin, i përkeqësuar shumë pas ardhjes së tetë herë fituesit të Topit të Artë.
“Po largohen të gjithë, është një katastrofë”, deklaroi polaku, “trajnerë, fizioterapistë, të gjithë po e lënë skuadrën. Nga pikëpamja e organizimit është e tmerrshme. Në praktikë është i ati i Messit që menaxhon klubin”. Sipas tij e gjithë shoqëria ka ndryshuar fytyrë dhe nuk duket më as si një ekip i MLS: “Të gjithë flasin spanjisht dhe nuk mund të bëhet asgjë pa aprovimin e Pleshtit dhe të atit. Skuadra ndodhet rreth 50 minuta larg nga Miami”. Akuza të forta nga ana e Klich që dëshiron të zbulojë situatën e vërtetë pas festimit të yllit argjentinas dhe të shokëve të tij të kohës te Barcelona, Suarez, Jordi Alba dhe Sergio Busquets.