Gjesti i Lamine Yamal pas Topit të Artë të humbur: “Ndaloi autobusin dhe zbriti”

Lamine Yamal, i ardhur nga vendi i dytë në Topin e Artë 2025 pas Ousmane Dembelé dhe fitues i freskët i Trofeut Kopa për vitin e dytë radhazi, i ka dhuruar një moment të papritur delegacionit të Barcelonës të pranishëm në galanë e Parisit. Pavarësisht zhgënjimit për çmimin e humbur, tetëmbëdhjetëvjeçari spanjoll tregoi pjekuri dhe lehtësi, duke menduar më shumë për urinë e shokëve sesa për pengun personal.

Presidenti Joan Laporta, i intervistuar nga RAC1, ka zbuluar prapaskenën: “Lamine ishte shumë i lumtur, bënte shaka pas galasë. Na solli hamburgerë në mesnatë, pas ceremonisë, sepse nuk kishim ngrënë asgjë dhe ishim të gjithë shumë të uritur. Për më tepër, ishin shumë të mirë”.

Sipas numrit një blaugrana, delegacioni nuk kishte prekur thuajse fare ushqim që nga mbërritja në Paris, mes angazhimeve dhe ceremonisë në Théâtre du Châtelet. Ndërsa trajneri Hansi Flick këmbëngulte të ktheheshin menjëherë në Barcelonë për stërvitjen, Yamal dhe Pau Cubarsí bindën shoferin të ndalej gjatë rrugës për në aeroport. “Lamine pa një vend që bënte hamburgerë. Na bëri të ndalonim, ai dhe Cubarsí zbritën për të blerë pak për të gjithë dhe i hëngrëm gjatë rrugës”, shtoi Laporta.

Pavarësisht zhgënjimit personal, Yamal tregoi se tashmë ka shpirtin e liderit: një gjest i thjeshtë, por domethënës, që e lehtësoi klimën dhe bashkoi ekspeditën. Babai i tij, Mounir, e konsideron “shumë larg lojtari më i mirë në botë”, dhe shumë e shihnin tashmë si favorit për Topin e Artë. Laporta, megjithatë, theksoi pjekurinë e djaloshit: “Lamine është mirë. Do të donte të fitonte, por është i motivuar të vazhdojë të punojë dhe të fitojë vitin e ardhshëm. Do të jetë më i miri në botë”.

Nata pariziene u mbyll kështu mes sanduiçesh dhe të qeshurash, me lojtarët dhe stafin e Barçës që nuk shkuan të flinin para orës 5 të mëngjesit. Tani vëmendja kthehet te fusha: gjatë javës angazhimi kundër Real Oviedo dhe, më pas, sfida e Champions me PSG-në, për të cilën skuadra shpreson të rikuperojë pikërisht fenomenin e saj të ri.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top