DJ dhe producenti i njohur Calvin Harris ka ngritur një padi kundër ish-këshilltarit të tij financiar, duke e akuzuar për vjedhje të 22.5 milionë dollarëve.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë më 12 shtator, Harris pretendon se Thomas St. John – i cili e ka menaxhuar financiarisht që nga viti 2012 deri në prill të 2025 – i ka marrë fondet në mënyrë të paligjshme për një projekt të pasurive të paluajtshme në Hollywood.
Sipas padisë në fillim të viteve 2020, St. John dhe bashkëpunëtorët e tij nisën një projekt të quajtur “CMNTY Culture Campus”, një kompleks prej 460,000 metrash katrorë në zemër të Hollywood-it, që supozohej të përfshinte studio muzikore, ambiente për artistët dhe hapësira zyrtare për krijues dhe profesionistë të industrisë së argëtimit.
Në vitin 2023, kur projektit i mungonin fondet, St. John i kërkoi Harris-it të investonte. Por, sipas padisë, ai nuk i tregoi aspak qëllimin e vërtetë, duke i dërguar vetëm dokumente përmes DocuSign, pa informacione të plota apo transparente.
Përmes një kompanie të krijuar në emër të Harris-it, “Lewis LLC”, ai investoi 22.5 milionë dollarë, nga të cilat 10 milionë në formë huaje dhe 12.5 milionë si investim kapital. Menjëherë pas investimit, 11.7 milionë dollarë u transferuan te një tjetër kompani nën kontrollin e St. John, “Dun & Dun LLC”, ndërsa deri më sot Harris nuk ka marrë asnjë kthim financiar.
Për më tepër, projekti në fjalë nuk ka nisur ende ndërtimin dhe, në vitin 2024, pa dijeninë e Harris-it, u ridizajnua për të ndërtuar banesa rezidenciale për shkak të ndryshimeve në treg.
Avokati i Thomas St. John, Sasha Frid, tha për “Variety” se Harris është vetëm një nga shumë investitorët dhe se projekti është ende aktiv. Ai përfshin ndërtimin e dy kullave të mëdha me 750 apartamente – përfshirë edhe 90 njësi për familje me të ardhura të ulëta – dhe ka një vlerësim të parashikuar prej mbi 900 milionë dollarësh kur të përfundojë.
Frid theksoi se Harris kishte kërkuar vetë të përfshihej në këtë projekt dhe se, për shkak të normave të interesit dhe faktorëve të tregut, ndërtimet e tilla po zgjasin më shumë se zakonisht. Ai mohoi çdo keqbërje nga klienti i tij.