I sigurt nga pushteti që siguroi në mandatin e katërt, Edi Ramës nuk i nevojitet më opozita as si aksesor për fasadën e demokracisë. Me votimin e kësaj të marte në parlament, socialistët praktikisht përjashtuan opozitën nga procesi i antarësimit në Bashkimin Europian, duke shkrirë komisionin parlamentar për integrimin sipas një vendimi të marrë më parë nga strukturat e Partisë Socialiste.
Komisioni i integrimit, një strukturë dypalëshe pozitë-opozitë ka funksionuar prej më shumë se dy dekadash dhe shërbente për t’i dhënë opozitës një dritare më shumë komunikimi me zyrtarët e Bashkimit Europian që mbikqyrnin integrimin. Por nën efektin e fitores me 83 deputetë dhe duke përfituar nga një moment kur Bashkimi Europian synon të ecë shpejt me zgjerimin, Edi Rama ka vendosur të përfitojë duke e personalizuar procesin përreth emrit të tij.
Nuk ishte rastësi që seanca parlamentare u zhvillua këtë të martë, pikërisht në ditën kur Edi Rama vizitoi Brukselin për hapjen e një grup-kapitulli të ri për negociatat. Për t’i deligjitimuar ankesat e opozitës, duhej që të dëgjoheshin në sfond lavdet dhe përgëzimet e zyrtarëve të huaj në Bruksel, në një konferencë të përbashkët mes kryeministrit Edi Rama me Marie Bjerre, Ministre e Çështjeve Europiane, Mbretëria e Danimarkës dhe Marta Kos, Komisionere Europiane për Zgjerimin.
Vetëm se ky nxitim me parlamentin e detyroi mazhorancën ta fuste me procedurë të përshpejtuar ndryshimin e rregullores, një akt që bie ndesh me Kushtetutën thotë opozita.
Përgëzimet për Ramën në Bruksel
Pamjet e para që erdhën nga Brukseli tregonin momentin kur Marie Bjerre e Danimarkës, që mban presidencën e BE, heq pikat e kuqe nga muri i zgjerimit me Shqipërinë për grup-kapitullin “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, që ka të bëjë me mjedisin dhe infrastrukturën.

Rama “u shpërblye” jo vetëm me hapjen e grup-kapitullit, por edhe me përgëzimet e rastit dhe në konferencën për mediat nuk u kursyen fjalët inkurajuese nga Marie Bjerre, Ministre e Çështjeve Europiane, Mbretëria e Danimarkës dhe Marta Kos, Komisionere Europiane për Zgjerimin.
“Shqipëria ka treguar qartësisht se e sheh të ardhmen e saj në Evropë. Ju po jepni rezultate dhe meritoni që këto t’ju njihen” u shpreh Bjerre.
Po kaq bujare me vlerësimet për qeverinë e Ramës ishte edhe Marta Kos, që theksoi se BE kërkon të nxitojë me zgjerimin duke marrë parasysh edhe rrethanat që ka krijuar lufta e Rusisë në Ukrainë. “Në momentin që kemi këtë kandidat kaq të zellshëm është dhe përgjegjësia nga ana jonë që t’i mbështesim me të gjithë energjinë dhe fuqinë njerëzore që kemi këtu në Bruksel dhe po kështu edhe në presidencë” u shpreh ajo.
Euforik nga hapat para që ka bërë me procesin e integrimit, hapjen e 28 kapitujve për 11 muaj, Edi Rama nuk i kurseu batutat me zyrtaren daneze.
“Që të kesh nga ana jonë vikingët është diçka që të jep mjaft siguri dhe na duhet ta përhapim këtë në mbarë Europën në mënyrë që askush të mos guxojë në një farë mënyre të na bllokojë rrugën, sepse midis nesh dhe vikingëve është një sipërmarrje e frikshme” u shpreh Rama duke provokuar buzëqeshjet e të pranishmëve.
Ankesat e opozitës në Tiranë
Në të njëjtën kohë që Rama merrte përqafime në Bruksel pas fotos familjare me delegacionin shqiptar dhe zyrtarët e BE, opozita ankohej për shkeljen e kushtetutës, për përjashtimin nga procesi i integrimit dhe lidhjet e qeverisë me bandat kriminale. Ndryshimet po kalonin me procedurë të përshpejtuar dhe për Sali Berishën kjo ishte një shkelje e hapur e Kushtetutës.
“Ky është një provokacion i ulët që ju i bëni rendit kushtetues të vendit. Ky është një provokacion i ulët, që ju i bëni qytetarëve të këtij, që i bëni opozitës së këtij vendi. Akt i turpshëm! Çfarë do të thotë kjo? Çfarë e keni ju Kushtetutën, statutin e partisë suaj të krimit e keni atë, që silleni në këtë mënyrë?” u ankua Sali Berisha në kuvend.
Po ashtu edhe të tjerë deputetë të Partisë Demokratike denoncuan aktin e përjashtimit nga procesi i integrimit, që për Jorida Tabakun ka në bazë të tij gjithëpërfshirjen.
“Duhet të kishim pasur një debat se si mund ta rrisim hapësirën e opozitës në një moment, kur të gjitha hapësirat janë zënë, janë uzurpuar nga mazhoranca dhe jo të bëjmë hapa pas. Struktura e re e komisioneve nuk reflekton as procesin e integrimit, as përfaqësimin më të mirë, as prioritetet që ka Shqipëria” u shpreh Tabaku.
Por deputetët socialistë që ishin në sallë, kishin një detyrë tjetër; të kalonin menjëherë në votim komisionet e reja parlamentare duke eleminuar atë hapësirë që deri më tani kishte qenë konsensuale për opozitën. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se Komisioni i Integrimit ishtë një komision dytësor, pa shumë vlera që nuk do të ndryshonte asgjë thelbësore në punën e parlamentit.
“Sot e 20 vite më parë në këtë sallë kemi pasur një rregull, një nen në rregullore, turp i madh, që thoshte nëse je anëtar i Komisionit të Integrimit nuk quhesh anëtar, mund të jesh edhe në komisione të tjera, që tregon se ishte një komision i dorës së dytë. Edhe je, edhe nuk je” tha Balla.
Gjithsesi ai kujtoi edhe një detaj tjetër; në fushatë Rama kishte pasur në fokus kryesor, procesin e integrimit dhe për këtë ishte votuar masivisht.
“Edhe fushata e fundit tregoi se ne kishim dy qasje të kundërta. Ne kishim një qasje kur Europën e kishim në qendër të vëmëndjes sonë dhe të objektivit tonë. Ju Europën nuk e përmendët, madje edhe diskutimet e sotme treguan se kemi pritshëmri të ndryshme” tha Balla.
Vendimi për mbylljen e Komisionit të Integrimit duket një tjetër hap drejt personalizimit të pushtetit në duart e pushtetit të Edi Ramës. Jo rastësisht, njoftimi i parë u dha në mbledhjen e Asamblesë së PS, ku Rama shpjegoi se si një grup pune i socialistëve kishte dalë në përfundimin se parlamenti kishte nevojë për 11 komisione parlamentare, duke paralajmëruar shkrirjen e Komisionit të Integrimit.
Mjafton të kujtohet slogani i fushatës së PS për zgjedhjet e 11 Majit ishte “Në BE në 2023, vetëm me Edin”, një mesazh që personalizoi në mënyrë të tejskajshme procesin e integrimit dhe që hasi në kundërshtimin publik të delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë. Gjithsesi, pas asamblesë së Partisë Socialiste, zyrtarët e BE në Tiranë kanë zgjedhur heshtjen, ndërsa ambasadori Gonzato ishte në Bruksel duke parë shefat e tij, që rrihnin shpatullat Ramës për punën e mirë që ka bërë deri tani.
Në këtë mënyrë, opozita do të ketë një mundësi më pak për të thënë të vërtetat e saj, ndërsa integrimi europian nga një projekt kombëtar, me gjithëpërfshirjen e aktorëve politikë, po shndërrohet në një platformë personale e Edi Ramës. Dhe motoja e fushatës nuk mbetet thjesht një slogan elektoral, por tashmë rezulton të jetë një strategji qeverisëse; “Në BE, vetëm me Edin”.