Gara për Tiranën/ Alimehmeti e lë me pikëpyetje: Nuk ka shumë kohë

Ilir Alimehmeti është pyetur sërish mbi mundësinë e kandidimit të tij për postin e kryetarit të Bashkisë Tiranë në zgjedhjet e pjesshme, përballë Ogerta Manastirliu. I ftuar në emisionin “Log.” në News24, Alimehmeti kujtoi se kur garoi në 2022 në Primare kishte kohë të mjaftueshme. Demokrati la të kuptohet se nuk do jetë kandidat i PD për Tiranën, duke thënë se koha është e pamjaftueshme.

“Unë kam garuar në 2022 në Primare për një proces që ishte në 2023. Qoftë dhe koha e mandatit, qoftë dhe koha e përgatitjes ishte e plotë, në këto momente jemi në kushte të ndryshme!” – tha Alimehmeti.

Ai ka komentuar edhe deklaratat e Ramës në Asamblenë Kombëtare të PS, ku kryeministri kërkoi nga anëtarët e PS në këshillin bashkiak të nisin procedurat për shkarkimin e Veliajt dhe të hapin rrugën për zgjedhjet e reja në bashkinë e Tiranës.

Ai shpjegoi se sipas ligjit, nëse një kryetar bashkie nuk paraqitet për të ushtruar detyrën për një periudhë prej 3 muajsh, Këshilli Bashkiak mund të propozojë dorëheqjen e tij tek kryeministri. Kjo periudhë, tha ai, ka kaluar më 10 maj, dhe më 12 maj Këshilli Bashkiak duhej të mblidhej për të shqyrtuar propozimin e dorëheqjes. Sipas tij, kjo është një kërkesë ligjore që është shpërfillur, pasi Këshilli Bashkiak nuk është mbledhur as për ta diskutuar këtë çështje.

“Kemi kërkuar zbatimin e ligjit. Këshilli Bashkiak ka një ligj të qartë përpara vetes, por nuk është mbledhur as për ta diskutuar”, tha Alimehmeti.

Alimehmeti theksoi se kërkesa e Ramës për të udhëzuar Këshillin Bashkiak të vazhdojë procedurat për shkarkimin e Veliajt është një shkelje e hapur e ligjit. Sipas tij, Kryeministri Rama nuk ka asnjë të drejtë të japë udhëzime ligjore për Këshillin Bashkiak, pasi ai është një organ që vepron sipas ligjit të vet. Ai u shpreh se me deklaratën e tij duke u bërë thirrje këshilltarëve socialistë në bashkinë e Tiranës, Rama tregoi se ka qenë duke bllokuar shkarkimin e Veliajt deri në këtë moment.

“Fakti që kemi këtë situatë, Rama bëri një shkelje duke thënë i kërkoj këshillit bashkiak të vazhdojë procedurat ligjore. Në asnjë pikë të ligjit nuk jep kryeministri udhëzime ligjore për këshillin bashkiak,” shtoi Alimehmeti.

Alimehmeti u shpreh gjithashtu se kërkesa e Ramës për ndërhyrje të drejtpërdrejtë tregon për koncentrimin e pushtetit në duar të vetme dhe që pushteti qendror nuk mund të ndërhyjë në punët e pushtetit vendor. Ai nënvizoi se Rama ka marrë “gjithë pushtetet në një dorë”, dhe kjo ka sjellë një “përplasje” mes pushtetit lokal dhe atij qendror.

“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë zbatimin e ligjit. Ky është qëndrimi ynë, dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë të palëkundur”, përfundoi Alimehmeti. /BalkanWeb

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top