Aventura e José Mourinho në Turqi zgjati një vit dhe përfundoi me shkarkimin e radhës të karrierës së tij, me miliona të përfituara. Fenerbahce e zëvendësoi atë në fillim të këtij sezoni pas humbjes në Champions League kundër Benfica, e cila nuk ishte arsyeja kryesore e vendimit. Pas saj qëndrojnë muaj diskutimesh, siç ka zbuluar presidenti Koc, i cili për herë të parë theu heshtjen mbi këtë çështje përpara mikrofonave të Record: problemi i madh ishte lloji i futbollit të propozuar nga Special One, nga i cili pritej diçka ndryshe.
Pse u shkarkua Mourinho
Humbja në Champions League ishte vetëm pika që bëri të derdhej kupa, por marrëdhëniet mes trajnerit dhe Fenerbahces ishin prishur tashmë prej kohësh. Sezoni i kaluar nuk shkoi siç e kishte parashikuar presidenti, sidomos sepse Koc i kishte kërkuar teknikut Mourinho të jepte maksimumin nga pikëpamja ofensive: “Sezonin e kaluar nuk kishte futboll sulmues. Ne kemi diskutuar për këto çështje dhe mendoja se ishim dakord”.
Vizionin nuk e ndau Special One, i cili vazhdoi të propozojë filozofinë e tij, më shumë të prirur ndaj mbrojtjes dhe kundërsulmit. Mospërputhja e ideologjive mbi mënyrën e vendosjes së skuadrës në fushë ishte vendimtare: “Kur filloi ky sezon, paraqitjet që pamë në pesë ndeshjet e para zyrtare pasqyronin ato të sezonit të kaluar. Cilido mund të eliminohej nga Benfica, por mënyra se si kemi luajtur më bezdisi. Ja pse ishte një vendim kaq i rrezikshëm dhe i vështirë”.
Ishte pikërisht lloji i futbollit të propozuar nga Mourinho që e çoi në shkarkim, pasi presidenti Koc e kuptoi që asgjë nuk do të ndryshonte dhe se nuk do të mjaftonin diskutime të pafundme: “Meqë nuk shihnim shumë dritë në fund të tunelit sa i përket kampionatit, na u desh të merrnim këtë vendim të vështirë. Nuk ka pasur ankesa për etikën e tij të punës. Ishte maniak i punës. Nuk kam asnjë mllef nga ana ime”.